Harry Styles hapi natën e gjashtë të rezidencës së tij rekord në Wembley Stadium me një mesazh të pazakontë për publikun, ndërsa Londra po përballet me temperatura ekstreme dhe një valë të fortë të nxehti.
Këngëtari britanik doli në skenë përpara rreth 80 mijë fansave të martën mbrëma dhe i bëri thirrje të gjithëve të kujdeseshin për njëri-tjetrin, duke theksuar rëndësinë e hidratimit gjatë koncertit.
Mbretëria e Bashkuar po përballet me temperatura rekord, ndërsa autoritetet shëndetësore kanë lëshuar një alarm të kuq për vapën ekstreme, duke paralajmëruar se kushtet mund të paraqesin rrezik edhe për personat e shëndetshëm.
Në Londër, temperaturat arritën deri në 33 gradë Celsius gjatë pasdites, ndërsa në momentin kur Harry Styles u ngjit në skenë termometri shënonte rreth 31 gradë.
Artisti, i veshur me pantallonat e tij karakteristike të shkurtra, një xhaketë dhe një këmishë portokalli, ndaloi për disa çaste për t’iu drejtuar turmës.
Do të kujdesemi për njëri-tjetrin, ju lutem përpiquni të qëndroni të hidratuar. Nëse ju nevojitet diçka në çdo moment, më tregoni, mund të ndalojmë në çdo kohë
-tha ai.
Më pas shtoi:
Gjithçka është në rregull. Do të kujdesemi për njëri-tjetrin, të argëtohemi, të kërcejmë, të djersitemi, të këndojmë, të bërtasim nëse doni të shkoni më shpejt.
Fjalët e këngëtarit u pritën me duartrokitje nga publiku, ndërsa shumë fansa në rrjetet sociale e vlerësuan kujdesin e tij për sigurinë e të pranishmëve.
Për shkak të temperaturave të larta, Wembley Stadium vendosi të ndryshojë përkohësisht rregullat e zakonshme, duke lejuar hyrjen e shisheve metalike dhe plastike të forta, të cilat zakonisht ndalohen gjatë eventeve.
Po ashtu, stadiumi ofroi ujë me çmim të reduktuar dhe vuri në dispozicion krem mbrojtës kundër diellit falas në pikat e informacionit.
Rezidenca “Together Together”, e cila nisi më 12 qershor, ka rezultuar një sukses i jashtëzakonshëm për Harry Styles, me 12 netë koncertesh në Wembley dhe dhjetëra mijëra fansa që mbushin stadiumin në çdo mbrëmje.
Mes vapës ekstreme dhe atmosferës elektrizuese, mesazhi i Harry Styles për kujdesin ndaj njëri-tjetrit u kthye në një nga momentet më të komentuara të natës.