Aktualitet

Harta e re Gjyqësore, nga sot bëhen vetëm 13 të Shkallës së Parë!

Nga dita e sotme nuk do të funksionojnë nëntë gjykata të Shkallës së Parë në rrethe e po nëntë prokurori. Ky është plani që vihet në zbatim në kuadër të fazës së dytë të zbatimit të ndryshimeve në kuadër të hartës së re gjyqësore në vendin tonë.

Gjykatat e Shkallës së Parë iu nënshtrohen riorganizimit dhe nga sot do të mbeten vetëm 13 të tilla nga 22 gjithsej. Gjykatat e Shkallës së Parë që mbyllen janë në Tropojë, Mat, Kurbin, Krujë, Pukë, Lushnje, Kavajë, Përmet e në Pogradec. Bashkë me to, pushojnë së ekzistuari edhe prokuroritë përkatëse të këtyre rretheve gjyqësore.

Pas kësaj faze, dosjet e Gjykatës së Tropojës transferohen në Kukës, të Matit në Dibër, të Kurbinit në Lezhë, të Pukës në Shkodër, të Krujës në Tiranë, të Kavajës në Gjykatën e Durrësit, të Lushnjes në atë të Fierit, të Përmetit në Gjirokastër e të Pogradecit në të Korçës.

Faza e parë u aplikua në muajin shkurt kur nga gjashtë apele që ishin në të gjithë vendin u vendos reduktimi në një Apel kombëtar. Në këtë mënyrë, u shkrinë gjykatat e Apelit në Shkodër, Vlorë, Durrës, Korçë e Gjirokastër duke bërë që të gjitha dosjet të transferohen në Tiranë.

Faza e tretë do të hyjë në fuqi më 1 korrik të këtij viti, ditë kur parashikohet  reduktimi i të gjitha gjykatave Administrative në vetëm dy: një në Tiranë dhe një në Lushnjë.

Harta e re do të funksionojë me 16 gjykata në total, 13 të Shkallës së Parë, një Gjykatë Apeli e dy Gjykata Administrative. Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ shkriu 18 gjykata, duke reduktuar të Apelit në një të vetme në Tiranë. Nga pesë Gjykata Administrative do të jenë vetëm dy, në kryeqytet e në Lushnjë ndërsa nga 22 që ishin, me hartën e re nga dita e sotme po bëhen vetëm 13 Gjykata të Shkallës së Parë.