Misioni i NATO-s në Kosovë po heton atë që e quajti “incident jodirekt zjarri”, kur dje u raportua për të shtëna pranë një patrulle të tij në Zubin Potok, një nga katër komunat me shumicë serbe në veri. Pasi e konfirmoi ngjarjen një natë më parë, sot KFOR-i ritheksoi se nuk pati të lënduar ose dëme materiale.
Ngjarja përfshiu persona të panjohur, të armatosur në zonën e Zubin Potokut. Nuk ka të lënduar apo dëme materiale dhe po punojmë për t’i vërtetuar të gjitha faktet. Mediat serbe raportuan se “rreth orës 19:45 të 25 dhjetorit u dëgjuan shkëmbime zjarri në Zubin Potok.
Të shtënat ndodhën pasi Policia e Kosovës kërkoi të hiqte njërën nga barrikadat.
Por, Policia e Kosovës i hodhi poshtë si të pavërteta këto raportime të mediave serbe. KFOR-i bën thirrje që të gjitha palët e përfshira, “të shmangin retorikën apo veprimet që mund të shkaktojnë tensione e ta përshkallëzojnë situatën”.
Mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë të përmbushim mandatin tonë sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Komandanti i misionit të KFOR-it vazhdon të përkrahë dialogun për të gjetur një marrëveshje për zbutjen e tensioneve në veri. Ai mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë të përfshirët në këtë proces.
Në veri të Kosovës, tensionet mbeten të larta kur që prej 10 nëntorit u ngritën barrikada në rrugët për në pikëkalimet kufitare me Serbinë. Serbët atje kundërshtojnë arrestimin e një ish-polici, i dyshuar për sulmin e 6 dhjetorit në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Jarinja dhe Bërnjaku që lidhin Kosovën dhe Serbinë janë mbyllur për qarkullimin. Autoritetet në Prishtinë thonë se kanë kapacitete për largimin e barrikadave të ngritura në veri, por se i kanë dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal e t’i largojë vetë ato.