Aktualitet

Hidhet nga kati i katërt, i jep fund jetës gazetari Kastriot Myftaraj; vuante nga një sëmundje e rëndë

Analisti Kastriot Myftaraj i dha fund jetës ditën e sotme duke u vetëhedhur nga kati i katërt i pallatit ku jetonte.

Prej kohësh ai drejtonte emisionin “Ju flet Moska”. Emisioni i fundit i gazetarit “Plan për atentat ndaj një pronari mediatik“ ishte më 17 qershor.

Prej kësaj date, analisti nuk ishte shfaqur më në ekran.

Burime bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ishte parë e gjitha nga nëna e tij me të cilën jetonte. Ka qenë pikërisht e ëma ajo që ka konfirmuar para policisë ngjarjen e tragjike.

Ngjarja ndodhi në mesditë rreth orës 12:55 në lagjen “Ali Demi” në kryeqytet.

Mësohet se Kastriot Myftaraj ndodhej në banesë me nënën e tij të moshuar rreth 90-vjeçe kur ka marrë veprimin ekstrem për t’i dhënë fund jetës.

Hetuesit po marrin në pyetje të moshuarën për të mësuar momentet e fundit të të birit, bisedën që mund të kenë bërë apo shqetësimet që mund të ketë vënë re tek 60-vjeçari.

Së fundmi, shpjegojnë burimet, viktima ishte diagnostifikuar me një sëmundje të rëndë.

Njoftimi i plotë i policisë së shtetit.

“Më datë 07.07.2022, rreth orës 12:55, në lagjen “Ali Demi”, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i katërt i banesës ku banonte, shtetasi K. M., 60 vjeç, i cili si pasojë ka ndërruar jetë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton Policia.