Aktualitet

Hidhet shorti, caktohet gjyqtari që do të vendosë mbi statutin e PD-së të dorëzuar nga Berisha!

Vendimet e marra nga Kuvendi i Partisë Demokratike i thirrur nga Berisha më 11 dhjetor kanë mbërritur në Gjykatën e Tiranës. Nga hedhja e shortit, u caktua për gjykim, gjyqtari Agron Zhukri.

Ditën e djeshme, datë 15.12.2021 është depozituar në Gjykatën e Tiranës, Dhoma Civile, kërkesë nga Partia Demokratike e Shqipërisë, me objekt “Depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje te Kuvendit Kombëtar”. Çështja është regjistruar dhe gjyqtar i çështjes është caktuar Agron Zhukri.

Kujtojmë se Grupi i Rithemelimit i Partisë Demokratike dhe juristët kanë depozituar në gjykatë për regjistrim, statutin e ri, të cilin e miratoi më 11 dhjetor, në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha. Ky vendim vjen vetëm dy ditë, pasi Lulzim Basha depozitoi në gjykatë, po për regjistrim statutin e ndryshuar në Kuvendin e Partisë Demokratike më 17 korrik, edhe pse 5 muaj me vonesë.

Me ngritje dore, Kuvendi i thirrur nga Berisha në mjediset e “Air Albania”-s, miratoi ndryshimet në Statut, me votat e delegatëve të pranishëm. Ndryshimet në Statut përfshijnë gati një parti të re, duke zhbërë strukturat drejtuese, shkarkim të nënkryetarëve, vendosje të logos dhe vulës së re të partisë.

Statuti i ri u miratua pa iu nënshtruar asnjë debati. Në të parashikohen ndërhyrje të thella, nga parimi “Një anëtar, një votë” edhe për të zgjedhur organet në qendër e ato lokale, te organizimi për përzgjedhjen e kandidatëve si për deputetë, ashtu dhe për nivelet lokale, te referendumet, lejimi i fraksioneve, riformatimi i strukturave drejtuese e sanksionimi i largimit të kryetarit të partisë nga posti, në rast të humbjes së zgjedhjeve.

Grupimet e formësuara në selinë blu, nuk njohin statutet e njëra-tjetrës. Ndërkaq, të shtunën, paralelisht me Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Basha, mbështetësit e Berishës kanë organizuar një referendum, që baza të votojë për shkarkimin e Bashës, të cilin e quajnë deputet. Më herët, Kuvendi i 11 dhjetorit e shkarkoi si kryetar me votim të fshehtë, por vendimet e së shtunës së kaluar nuk njihen nga Basha.