Djali i Hashim Thaçit ka mbajtur një fjalim emocionues gjatë homazheve për gjyshin e tij, Haxhi Thaçi. Endriti Thaçi i falënderoi të gjithë për mbështjen në këtë kohë të vështirë, ndërsa shtoi se shpresa e gjyshit të tij për të takuar të birin, ish presidentin e Kosovës, ishte më e madhe se dhimbjet e sëmundjes.
“Faleminderit nga zemra për ngushëllimet për fjalët prekëse. Në emër të familjes Thaçi, në emër të babit iu falënderoj për mbështetjen. U jemi mirënjohës të gjithëve. Gjyshi asnjëherë nuk është dorëzuar përballë sëmundjeve. Shpresa për ta takuar babin ishte më e madhe se dhimbjet e sëmundjeve. Besimi ishte më i madh se aktakuza e padrejtë. Në muajt e fundit çdo orë priste t’ia hapte derën e spitalit, nuk u dorëzua dhe u rikthye në jetë disa ditë. Tri orë atë ditë, iu bënë një jetë. Që të dy e kërkonin lirinë, çlirimin”, tha Endriti.
Ai përmendi faktin se të atin nuk e lejuan që të merrte pjesë në ceremoninë mortore, por shtoi se ë vend të tij ka ardhur e gjithë Kosovë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
“Ai iu mbijetoi të gjitha vuajtjeve, por këto 4 vite nuk i mbijetoi dhimbjes nga padrejtësia. Sëmundje e pashërueshme për njerëz të fortë. Babin nuk e lejuan të jap lamtumirën e fundit, nuk e lejuan t’i hedhë një gusht të dheut të Drenicës, por në vend të babit sot ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina”, shtoi ai.
Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi përcillet sot në banesën e fundit pasi humbi jetën për shkak të betejës me një sëmundje të rëndë. I biri nuk është aty për t’i dhënë lamtumirën e fundit, pasi sipas Organizatës së Veteranëve, Gjykata Speciale në Hagë nuk i ka dhënë leje për të marrë pjesë në ceremoninë mortore.
Sipas mediave në Kosovë Haxhi Thaçi do të prehet në varrezat e reja të fshatit Burojë, Skenderaj. Homazhet për të kanë nisur që prej orës 09:00 në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj. Të pranishëm janë nëna e ish-presidentit Thaçi, bashkëshortja, djali i tij dhe anëtarë të tjerë të familjes. Ndërsa cermemonia e varrimit do të zhvillohet në orën 15:00.
Nga Tirana, homazheve iu bashkua edhe Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit, si edhe Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ministri Taulant Balla, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj dhe ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramos Ruçi.