Shqipëria mbylli një vit mjaft pozitiv, teksa u kualifikua për në Play Off të Botërorit. Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj, në një intervistë për FSHF, analizoi vitin kuqezi dhe kualifikueset, ndërsa tha diçka edhe për Poloninë, kundërshtarin tonë në Play Off.
“Ky vit mund të ketë qenë viti më i mirë në kombëtare. Ishte një grup shumë i fortë që shumica e tifozëve mendonin se ne ndoshta nuk do të mund ta kalonim, por ja që ia dolëm të jemi në vendin e dytë, vetëm se më vjen keq se në vitet e mëparshme në botëror shkonin dy skuadra, kurse këtë radhë na ra që vendi i dytë duhet të luajë playoffin, por gjithsesi ishte një vit shumë i mirë”.
Kualifikueset?
“Besoj se ndeshja me Serbinë këtu në shtëpi ishte më e mira, sepse treguam karakter. Ishte një ndeshje shumë e bukur që mund ta fitonim dhe që aty besuam se ndeshja e radhës në Serbi do të ishte vendimtare për ne, por kishim mundësi për fitore sepse sic thamë ndeshja në Shqipëri ishte një sfidë e luajtur mirë dhe kishim shanse dhe morëm besimin. Kjo ndeshje na ndryshoi mendimin për kualifikimin. Polonia, rivali i Play Off- Polonia është një skuadër shumë e fortë. Unë mendoja se do të na binte një skuadër më e lehtë, por futbolli është i bukur se mund të kesh ndeshje të vështira dhe mund t’i fitosh. Në futboll mjafton 1 minutë që të gabosh apo 1 minutë të ndryshon jetën ose fiton ndeshjen dhe mund të kualifikohesh. Por gjithsesi e dimë, kemi luajtur shumë ndeshje ndaj Polonisë, kemi pasur edhe humbje, por nëse luajmë si me Anglinë këtu dhe Serbinë atje, kemi mundësi për kualifikim”- tha Hysaj.