Detektivja e njohur, Shkënda Lili, ka qenë e ftuar në “Grida Duma Podcast”, ku ka folur për tradhtinë e burrave dhe grave. Ajo u shpreh se ne si popull mund ta ndjejmë se diçka nuk po shkon, por nuk e pranojmë dhe si pasojë duam fakte. Gjatë kësaj interviste, ajo tregoi edhe kush e përjeton më shumë tradhtinë, burrat apo gratë. Sipas saj, meshkujt e vuajnë më shumë ndërsa gratë e kalojnë. Lili u shpreh se gratë e falin tradhtinë për çështje ekonomike, për çështje hakmarrje apo për të vënë me shpatulla pas muri partnerin.
Shkënda Lili, gjatë intervistës ka treguar rastin më ekstrem të tradhtisë që ka shkuar në studion e saj. Lili tha se një grua kishte kuptuar që burri i saj shkonte me nusen e djalit, e këtë donte t’ia vërtetonte të birit.
Lili ka treguar një rast të një 50-vjeçari që dyshonte se e tradhtonte bashkëshortja pasi sipas tij, ajo rrinte shumë në tualet dhe lahej shpesh. Shkënda tha se nga investigimi i stafit të saj nuk rezultoi se ajo e tradhtonte atë, por burri i kishte thënë se i ka vendosur kamera në banjë dhe ajo kujdesej shumë për veten.
Shkënda Lili: Do të tregoj një rast të një zotërie moshë 50 vjeç për të investiguar bashkëshorten. Dhe ishte aq i sëmurë psiqikisht ai njeri saqë më ka lënë dhe ai pa fjalë. Bashkëshortja në një moshë me të, jetonte në një nga fshatrat e Tiranës.
Grida Duma: Në fshat prapë?
Shkënda Lili: Në rrethet e Tiranës. Gruaja punonte në një kompani dhe arsyeja se pse erdhi është se gruaja lahej shpesh, diçka e ka. Ca idiotësira që unë herë pas here dhe qeshja. E pyesja se cili është dyshimi i tij, se çfarë kishte parë te bashkëshortja, pasi kur shikoja foton e saj dhe duke investiguar më lindi dhe mua dyshimi se ku mund të tradhtojë kjo. Se ne tani e kuptojmë se kush tradhton dhe kush jo, që ditën e parë. Ne e dimë përfundimin.
Grida Duma: Pak a shumë, 90 për qind ti e ke matur është tradhtar ose jo.
Shkënda Lili: Që në foton që më tregoi klienti, ndaj i bëja pyetje për të kuptuar. Të dyshosh te bashkëshortja që rri gjithë ditën në shtëpi apo punon në një kompani që qep aty gjithë kohës, e shkreta e lodhur nga puna, nga jeta, mua më duket…
Grida Duma: Se lahet shpesh…
Shkënda Lili: Kur unë e ngacmoja me pyetje, se thashë që unë e kuptova që nuk ka shanse, por ai thoshte ‘ka filluar të lahet shpesh, të mbajë veten’. Ai ishte i sëmurë mendor, të paktën këtë rezultova në fund. Në mes të investigimit më thotë se donte të më takonte dhe unë i thashë ‘po patjetër, po nuk kemi parë asgjë deri tani, shumë e rregullt’. Po ai thotë se ‘filan ditë ajo do të takohet’. Janë gjëra banale për t’i treguar, ku arrin njeriu, psikologjia zero, xhelozi e sëmurë. Ai thotë se ‘bashkëshortja është përgatitur për nesër se ka qëndruar shumë orë duke zgjedhur rrobat, ka qëndruar shumë në tualet, jam i sigurt se po përgatitet për nesër’. Dhe në fund fare doli i pakënaqur nga investigimi dhe më tha ‘ti nuk ke bërë asgjë, por unë i kam vendosur kamera në tualet, gjithandej, ti nuk e ke kapur’.
Grida Duma: Kamerat tregonin se ajo është kujdesur për veten
Shkënda Lili: Të vesh kamera në tualet, e kupton çfarë do thotë? Këto raste janë për…
Grida Duma: Janë për policinë se ajo rrezikon jetën të bashkëjetojë me një njeri të atillë.
Shkënda Lili: Janë për policinë, por edhe për t’u shtruar në spital. Ai këmbëngulte të shikoja videon. Ishte i sëmurë psikik, unë i ofrova ndihmë, i thashë ta çoj te një mik i imi psikiatër. Më tha se nuk është i çmendur dhe se i kupton gjërat në ajër. Këmbëngulte sërish të shikoja videon dhe i thoja ‘nuk dua të shikoj bashkëshorten tënde si lahet, a je në terezi’. Donte me patjetër, më thoshte se nuk e ke bërë punën mirë. Këmbëngulte të shikoja videon, po ç’më intereson mua çfarë bën brenda në shtëpi, lahet apo jo. Se janë raste dhe për të qeshur ndonjëherë.
Grida Duma: Janë të rrezikshme. Domethënë, psikologjia tregon se raste të tilla edhe përshkallëzohen. Mund të shkojnë edhe në vrasje. Pra ajo është viktimë totalisht në atë moment, ajo është e vendosur nën presionin e nevojës së tij për tradhti dhe nevojës së tij për të provuar vetveten sepse ai është i pasigurt në atë nivel.
Shkënda Lili: Janë raste që duhet me pas shumë kujdes, të paktën unë. Në fillimet e mia dhe nuk e kuptoja tipologjinë e njeriut. Nuk prisja kaq ekstreme, nuk isha e rrahur me jetën që të jenë njerëzit kaq ekstrem.