Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Tiranës vendosi të sekuestrojë pasuritë e spitalit privat International Medicare shpk e Sante Plus. Administratorët dhe drejtuesit akuzohen për fshehje të të ardhurave, mos pagim taksash e përdorim të medikamenteve të skaduara.
Hetimet nisën pas kallëzimit të një shtetasi portugez, i cili në prokurori deklaroi se kishte paguar mbi 5200 euro në këtë spital për tre shërbime, por që në fakt nuk kishte marrë asnjë prej tyre, pasi mjekët ishin larguar. Paratë nuk iu kthyen.
Pas hetimeve të mëtejshme, hetuesit zbuluan se ky spital operonte me mandate dore dhe gjatë kontrollit u gjetën 1 milion euro fatura jo tatimore, të padeklaruara. Dyshohet se kryesisht punonin shtetas turq, të palicensuar si mjekë në Republikën e Shqipërisë.
Portugezi tha se pagesat i kishte bërë dorazi te një punonjëse e klinikës, e quajtur Xhuana Liko, e cila iu prezantua si drejtoreshë e spitalit. Gjatë hetimeve, Liko pohoi se nuk ka qenë drejtoreshë, por recepsioniste, e cila vepronte sipas udhëzimeve të pronarëve të vërtetë të klinikës, shtetasit turk Bilal Kara e Geriana Arapit. Sot, ata ndodhen jashtë Shqipërisë, përkatësisht në Turqi dhe Maqedoninë e Veriut, të shpallur në kërkim.
Me marrjen e denoncimit, hetuesit ushtruan kontroll në ambientet e spitalit privat, duke gjetur një sërë shkeljesh të rënda që rrezikonin drejtpërdrejt shëndetin e pacientëve. Mes tyre u zbuluan medikamente të skaduara e preparate të ndaluara për përdorim. Po ashtu, pagesa të kryera dorazi, pa asnjë dokumentacion financiar apo përmes sistemit bankar dhe me punësim në të zezë.
Skandali zgjerohet edhe më shumë, kur kuzhinieri i spitalit, Edmond Zaja, emërohet administrator zyrtar i klinikës, pavarësisht se nuk kishte përgatitje apo njohuri në menaxhimin e shërbimeve mjekësore. Zaja, 62 vjeç dhe i arrestuar nga blutë, fillimisht përgatiste ushqimin e pacientëve, por më pas ishte detyruar të firmoste si administrator.
Një mjek turk dëshmoi se dy herë në muaj vinte rregullisht për të kryer ndërhyrje kirurgjikale estetike në këtë klinikë. Ai tha se kishte realizuar mbi 20 operacione, të gjitha pa u regjistruar ligjërisht, duke shkelur haptazi ligjin shqiptar për shërbimet shëndetësore dhe mjekësinë estetike.