Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka mbrojtur pushimet e diskutueshme për hidratim në Kupën e Botës, pavarësisht kritikave të shumta që kanë shoqëruar këtë masë.
Pushimet prej tre minutash u vendosën për turneun e kësaj vere në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, me qëllim që lojtarët të hidratohen gjatë ndeshjeve të zhvilluara në temperatura të larta.
Shumë tifozë dhe analistë pretendojnë se këto ndërprerje shërbejnë kryesisht për të krijuar hapësirë shtesë për reklama televizive, ndërsa të tjerë argumentojnë se ato janë të panevojshme në stadiumet me temperatura më të ulëta ose me sisteme moderne klimatizimi.
Megjithatë, Infantino insiston se vendimi nuk ka lidhje me fitimet financiare.
“Nuk ka asnjë të ardhur shtesë për FIFA-n, pasi të gjitha marrëveshjet komerciale janë nënshkruar shumë kohë më parë.
Ky nuk është një çështje financiare për ne. Për ne është thjesht një çështje sportive.
Faktori kryesor është vapa, por duhet të kuptojmë gjithashtu se një Kupë Bote zgjat 39 ditë dhe ekipet mund të zhvillojnë deri në tetë ndeshje gjatë kësaj periudhe.
Të kesh një moment pushimi është jashtëzakonisht e rëndësishme”, thuhet në reagimin e Infantinos.
Gjatë ndeshjes mes Anglisë dhe Ganës të martën në mbrëmje, pushimi për hidratim u prit me fishkëllima nga tifozët, një reagim që po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm.