Bota

Izraeli hedh nga ajri 52 pako ndihma humanitare në Gaza në bashkëpunim me vendet arabe!

Ushtria izraelite, ka njoftuar se sot janë hedhur 52 pako ndihmash ajrore në Rripin e Gazës, në bashkëpunim me disa vende arabe.

Paketat, të cilat përmbanin ushqime, janë hedhur në pjesën jugore dhe veriore të Gazës, sipas një deklarate të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF). Sipas të njëjtës deklaratë, operacioni është realizuar në koordinim me Izraelin, Jordaninë, Egjiptin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Që prej së shtunës, IDF ka nisur hedhjen ajrore të ndihmave humanitare në territorin e rrethuar, në një kohë kur kritikat ndërkombëtare për krizën e urisë në Gaza janë shtuar ndjeshëm.

Ndërkohë, ministria e Jashtme franceze ka bërë të ditur se Franca do të nisë hedhjen ajrore të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës në “ditët në vijim”, për të përballuar nevojat më urgjente të popullsisë civile që po përballet me një krizë humanitare të paparë.

Sipas deklaratës zyrtare, operacionet ajrore do të zhvillohen me “kujdesin maksimal” për të garantuar sigurinë e civilëve palestinezë gjatë ndërhyrjes.

Ministria franceze theksoi gjithashtu se është duke punuar paralelisht edhe për dërgimin e ndihmave tokësore, por kjo kërkon që Izraeli të hapë më shumë pika kufitare, një kërkesë që Izraeli e ka refuzuar në të kaluarën.

“Dërgesat përmes tokës janë zgjidhja më efektive për të garantuar furnizimin masiv dhe të pakufizuar me ndihma humanitare që popullsia e Gazës ka dëshpërimisht nevojë,” thuhet në deklaratë.

Franca i bëri thirrje Izraelit “të hapë të gjitha pikat e kalimit dhe të sigurojë akses të menjëhershëm, masiv dhe të pakufizuar për ndihmën humanitare në Rripin e Gazës përmes tokës.”

Vitin e kaluar, Franca, në bashkëpunim me Jordaninë, realizoi hedhje ajrore me ushqime dhe pako higjienike në Gazë. Në atë kohë, ministria franceze theksoi se kjo ndërhyrje “reflekton angazhimin e plotë të Francës për të ndihmuar popullsinë civile në Gaza.”

Ndërkohë, edhe Spanja dhe Gjermania njoftuan dje se do të organizojnë hedhje ajrore të ndihmave në Gaza me mbështetjen e Jordanisë.