Izraeli ka deklaruar se ka vrarë komandantin e degës ushtarake të Hamasit, Muhamed Odeh, gjatë një sulmi ajror në Rripin e Gazës, të martën. Sipas autoriteteve izraelite, ai është eliminuar disa ditë pasi edhe paraardhësi i tij humbi jetën në një tjetër operacion të ngjashëm.
Të paktën tre palestinezë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga valët e bombardimeve intensive që goditën një godinë rezidenciale në qendër të qytetit të Gazës, në një zonë ku qytetarët po bënin blerje për festën e Kurban Bajramit.
Ushtria izraelite (IDF) dhe shërbimet sekrete kanë deklaruar se godina ku ndodhej Odeh ishte vënë nën vëzhgim për disa muaj para sulmit. Sipas zyrës së kryeministrit Benjamin Netanyahu, ai konsiderohet një nga organizatorët e sulmeve të 7 tetorit.
Pavarësisht një armëpushimi të arritur më herët, Izraeli ka vijuar me sulme ajrore në Gaza, duke shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme.
Paralelisht, është intensifikuar edhe fushata ushtarake kundër Hezbollahut në Liban, ku në sulmet e fundit janë vrarë dhjetëra persona, përfshirë edhe fëmijë.
Ushtria izraelite thotë se ka goditur dhjetëra objektiva infrastrukturore të Hezbollahut, në atë që konsiderohet vala më e rëndë e bombardimeve që nga shpallja e armëpushimit në muajt e fundit.
Përshkallëzimi i situatës vjen pas deklaratave të Netanyahut për intensifikim të operacioneve ushtarake në rajon.