Niveli i kequshqyerjes në Rripin e Gazës ka arritur në “nivele alarmante”, paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe shton se “bllokada e qëllimshme” e ndihmës ka qenë krejtësisht e parandalueshme, por kushtoi me shumë jetë.
Kequshqyrja është në trajektore të rrezikshme në Rripin e Gazës, edhe për shkak të rritjes së numrit të vdekjeve në korrik, u shpreh OBSH-ja përmes një deklarate.
Nga 74 vdekje të regjistruara më 2025-ën si pasojë e kequshqyerjes, 63 u raportuan në korrik, përfshirë 24 fëmijë nën 5 vjeç, një tjetër mbi 5 dhe 38 të rritur.
Shumica e këtyre njerëzve janë shpallur të vdekur sapo kanë shkuar në qendrat shëndetësore ose kanë vdekur pas një kohe të shkurtër dhe trupat e tyre shfaqnin shenja të rënda të lodhjes. Kriza vazhdon të jetë krejtësisht e parandalueshme. Bllokimi i qëllimshëm e vonesa e madhe në shpërndarjen e ushqimit e dhënien e ndihmës shëndetësore e humanitare kushtoi shumë jetë.
Një ditë më parë, Izraeli bëri të ditur një “pauzë të kufizuar taktike” në operacionet ushtarake, për t’i lejuar Kombet e Bashkuara dhe agjencitë për ndihmat, që ta luftojnë krizën e thellë të urisë. Ndërkohë, Jordania njoftoi se ka punuar me Emiratet e Bashkuara Arabe duke hedhur nga ajri 25 tonë ndihma në Gazë.
Të mërkurën e kaluar, shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus e ka përshkruar situatën si “uri masive të shkaktuar nga dora e njeriut”. Izraeli ka nisur fushatën ushtarake në Gaza në përgjigje të sulmit të kryer nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, si pasojë e të cilit u vranë 1.200 njerëz dhe u morën peng rreth 240 të tjerë.
Hamasi është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera. Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, mbi 59 mijë palestinezë janë vrarë në Gaza që prej asaj kohe.