Bota

Izraeli sulmon objektiva të Hezbollahut në Liban!

Ushtria izraelite njoftoi se ka sulmuar “disa” objektiva të Hezbollahut në Luginën Beka të Libanit, dy muaj pas hyrjes në fuqi të armëpushimit me grupin libanez, me të cilin zhvilloi luftime vitin e kaluar. Hezbollahu që kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara ndërsa Bashkimi Europian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë politike.

Objektivat që u sulmuan përfshijnë një ndërtesë të Hezbollahut që ka infrastrukturë nëntokësore, e cila përdoret për të zhvilluar dhe prodhuar armatim e të tjera infrastruktura terroriste në kufirin Siri-Liban dhe që përdoren nga Hezbollahu për të kontrabanduar armë në Liban, njoftoi ushtria izraelite përmes një deklarate.

Në njoftim u tha se sulmet e kryera gjatë natës shënjestruan objektivat “që paraqisnin rrezik” për Izraelin dhe trupat izraelite. Një ditë më parë, ushtria izraelite raportoi se kishte rrëzuar një dron vëzhgues të Hezbollahut, i cili po i afrohej territorit izraelit. Sipas ushtrisë, kjo paraqet “shkelje të armëpushimit mes Izraelit dhe Libanit”.

Ushtria vazhdon të jetë e përkushtuar në armëpushimin mes Izraelit e Libanit dhe nuk do të lejojë asnjë aktivitet terrorist të këtij lloji.

Ushtria izraelite nuk ka respektuar afatin e tërheqjes së plotë nga Libani që ishte deri më 26 janar. Tani, afati i ri për tërheqjen e ushtrisë izraelite është 18 shkurti. Megjithatë, Izraeli e kishte bërë të qartë se nuk synonte të përmbushte afatin e 26 janarit, duke akuzuar ushtrinë libaneze se nuk po respektonte pjesën e saj të marrëveshjes.

Sipas akordit të armëpushimit që hyri në fuqi më 27 nëntor 2024, ushtria libaneze do të dislokohet në jug, teksa Hezbollahu do të tërheqë forcat në veri të lumit Litani, rreth 30 kilometra larg nga kufiri. Grupi libanez, që mbështetet nga Irani, po ashtu duhet të shkatërrojë çdo infrastrukturë ushtarake që ka në jug të Libanit.

Hezbollahu dhe Izraeli fillimisht shkëmbyen zjarr në vijën kufitare, pas nisjes së luftës në Gazë në tetor të vitit 2023 mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-të dhe BE-ja.

Luftimet u përshkallëzuan në tetor të vitit të kaluar, kur Izraeli nisi një ofensivë tokësore në Liban. Gjatë luftimeve, Izraeli vrau pothuajse gjithë udhëheqjen e Hezbollahut, përfshirë liderin e vjetër të grupit, Hassan Nasrallah, si dhe shkatërroi arsenalin ushtarak të tij.