Aktualitet

Tirana zyrtare: Flamuri i Ambasadës së Izraelit u përdhos nga protestues të maskuar, ky akt nuk na përfaqëson!

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi se flamuri i Ambasadës së Shtetit të Izraelit u hoq dhe u përdhos dje gjatë protestës, nga protestues të maskuar, duke e dënuar si akt të padenjë për Shqipërinë.

Në një deklaratë, thekson se të tilla veprime “nuk kanë asnjë lidhje me lirinë e shprehjes, të drejtën legjitime për protestë paqësore apo me vlerat tona demokratike”, duke i cilësuar ato si “shfaqje të urrejtjes, intolerancës dhe nxitjes së saj”.

Sipas Ministrisë së Jashtme, ky akt bie ndesh me traditën shqiptare të mikpritjes, harmonisë dhe respektit për tjetrin dhe nuk përfaqëson Shqipërinë apo popullin shqiptar.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me forcë heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Tiranë nga protestues të maskuar gjatë protestës së mbrëmshme.

Veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me lirinë e shprehjes, të drejtën legjitime për protestë paqësore apo me vlerat tona demokratike dhe standardet evropiane që kemi ndërtuar dhe po forcojmë çdo ditë. Ato janë shfaqje të urrejtjes, intolerancës dhe nxitjes së saj, dhe janë krejtësisht të papajtueshme me parimet e respektit dhe bashkëjetesës që Shqipëria i ka në themel dhe i çmon me përkushtim.

Ky akt i turpshëm bie ndesh me traditën e gjatë shqiptare të mikpritjes, harmonisë dhe respektit për tjetrin, vlera që kanë karakterizuar shoqërinë tonë për breza me radhë. Ato nuk përfaqësojnë as Shqipërinë, as popullin shqiptar. Përfaqësojnë vetëm ata që kërkojnë të provokojnë, të përçajnë dhe të përhapin urrejtje, duke shpërdoruar dhe keqpërdorur në mënyrë të qëllimshme të drejtat dhe liritë.

Ministria riafirmon angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe simboleve të tyre, në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Ne shprehim solidaritetin tonë me Ambasadën e Shtetit të Izraelit dhe theksojmë se dhuna, intimidimi dhe gjuha e urrejtjes nuk mund dhe nuk do të kenë vend në një shoqëri demokratike.