Këngëtari kanadez JP Saxe ka njoftuar se ka anuluar turneun e tij të shumëpritur në Shtetet e Bashkuara, pasi shitjet e biletave ishin shumë më të ulëta se pritshmëritë.
Artisti 32-vjeçar, i njohur për hitin “If The World Was Ending” dhe ish-partner i këngëtares Julia Michaels, pranoi publikisht se nuk arriti të shiste as 20,000 bileta, numri minimal që do të mundësonte zhvillimin e turneut.
Turneu “The Make Yourself At Home”, i cili do të përfshinte 32 koncerte nga shtatori deri në fund të tetorit në ambiente me 2,000 deri 3,000 vende, u anulua për shkak të mungesës së interesit.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Saxe u shpreh i zhgënjyer, por falënderoi fansat që e mbështetën:
E di që synova shumë lart këtë herë, por transparenca në dështim vlen më shumë sesa një fasadë suksesi
-tha ai me humor, duke siguruar se të gjitha biletat do të rimbursohen.
Ky anulim vjen në një periudhë reflektimi për artistin, i cili ka premtuar të rikthehet me projekte të reja për publikun e tij besnik.