Kancelari gjerman, Friedrich Merz shprehet optimist se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të rrisin presionin mbi Rusinë, në mënyrë që ta bindin vendin e drejtuar nga Vladimir Putin që të negociojë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Përpara largimit nga samiti i G7-ës në Kananaskis të Kanadasë, Merz u shpreh se shpresonte që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së shpejti do të marrin një vendim për vendosjen e më shumë sanksioneve ndaj Rusisë.
Udhëheqësi gjerman vë në dukje se nuk janë vendosur sanksione të reja amerikane që kur Trump u kthye në pushtet, në janar, për mandatin e dytë presidencial. Bie në sy fakti se Trump nuk është treguar i gatshëm për të vendosur më shumë sanksione ndaj Moskës pavarësisht përpjekjeve të Bashkimit Europian.
Sanksionet na kushtojnë shumë para. I kushtojnë shumë para SHBA-ve, deklaroi Trump.
Komisioni Europian dje propozoi një ndalim të plotë të importeve të gazit rus në Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2027. Deklarata e Merz-it erdhi pasi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen i bëri thirrje Shteteve të Bashkiara të shtrëngonin sanksionet kundër Rusisë.
Për të sjellë Rusinë në tryezën e negociatave dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duhet që të rritet presioni, deklaroi Von der Leyen në një konferencë për shtyp.
Shërbimet e emergjencave në Kiev thanë se numri i viktimave nga sulmi i madh rus i kryer një ditë më parë është rritur në 21 e më shumë se 130 persona kanë mbetur të plagosur. Dje, Rusia lëshoi dhjetëra dronë dhe raketa drejt Kievit e presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e cilësoi si “një prej sulmeve më të tmerrshme” që Moska ka kryer ndaj kryeqytetit ukrainas në luftën trevjeçare të nisur në shkurt të vitit 2021.
Në total, 21 persona kanë gjetur vdekjen në kryeqytet dhe 134 të tjerë mbetën të plagosur, siç raportoi shërbimi shtetëror i emergjencave në Ukrainë përmes një postimi në Telegram. Në njoftim u vu në dukje se 16 trupa janë nxjerrë nga rrënojat e një ndërtese nëntëkatëshe banimi në qarkun Solomianski. Paraprakisht, numri i viktimave sipas zyrtarëve në Kiev ishte 14.