Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se Teherani nuk synon të sigurojë një bombë atomike, por do të vazhdojë të mbrojë të drejtën e tij për pasurimin e uraniumit.
Deklarata e tij erdhi pak para nisjes së bisedimeve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, të zhvilluara këtë të diel në Zvicër.
“Kjo nuk është asgjë e re dhe ne mund ta deklarojmë edhe me shkrim se nuk kemi ndërmend të ndërtojmë bombën”, tha Pezeshkian, sipas presidencës iraniane.
Megjithatë, presidenti iranian theksoi se vendi i tij nuk do të heqë dorë nga e drejta për pasurimin e uraniumit.
“Ne nuk do të heqim dorë nga e drejta jonë për pasurim”, u shpreh ai.
Irani argumenton se kjo e drejtë garantohet nga Traktati i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (NPT), ku Teherani është palë nënshkruese, për sa kohë aktivitetet bërthamore kryhen për qëllime civile.