Bota

Rritet numri i viktimave nga sulmi masiv rus në Kiev!

Shërbimet e emergjencave në Kiev thanë se numri i viktimave nga sulmi i madh rus i kryer një ditë më parë është rritur në 21 e më shumë se 130 persona kanë mbetur të plagosur. Dje, Rusia lëshoi dhjetëra dronë dhe raketa drejt Kievit e presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e cilësoi si “një prej sulmeve më të tmerrshme” që Moska ka kryer ndaj kryeqytetit ukrainas në luftën trevjeçare të nisur në shkurt të vitit 2021.

Në total, 21 persona kanë gjetur vdekjen në kryeqytet dhe 134 të tjerë mbetën të plagosur, siç raportoi shërbimi shtetëror i emergjencave në Ukrainë përmes një postimi në Telegram.

Në njoftim u vu në dukje se 16 trupa janë nxjerrë nga rrënojat e një ndërtese nëntëkatëshe banimi në qarkun Solomianski. Paraprakisht, numri i viktimave sipas zyrtarëve në Kiev ishte 14.

Zelensky tha se 440 dronë dhe 32 raketa u lëshuan në mbarë Ukrainën, teksa i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “të mos mbyllë sytë”. Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se kishte kryer sulme preçize ndaj “ndërtesave të industrisë ushtarake në rajonin e Kievit”.

Më shumë se tre vjet nga koha kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, Moska ka intensifikuar sulmet pavarësisht përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për arritjen e një armëpushimi. Bisedimet në këtë drejtim kanë ngecur. Moska po refuzon një armëpushim “të pakushtëzuar” që e kanë kërkuar Kievi dhe aleatët e tij europianë. Nga ana tjetër, Ukraina nuk po pranon kërkesat e Rusisë, duke i cilësuar ato si “ultimatume”.