Aktualitet

Kanosën dy shtetas duke iu marrë celularët, 1 në pranga dhe 1 në kërkim në Shijak!

Një 28 vjeçar u arrestua nga policia e Shijakut dhe një tjetër u shpall në kërkim pasi kërcënuan me thikë dy persona dhe iu morën celularët, në parkingun e një lokali në fshatin Borakë, Njësia Administrative Xhafzotaj. Më pas, autorët u larguan me makinë, por njëri prej tyre braktisi automjetin për t’i shpëtuar policisë. Rezulton se ai ka thyer masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shijak arrestuan në flagrancë shtetasin O.K., 28 vjeç, banues në Shijak, si dhe shpallën në kërkim shtetasin F.Ç., 28 vjeç, banues në Shijak, (i cili ka thyer masën e sigurisë  “Arrest në shtëpi).

Këta shtetas në parkingun e një lokali në fshatin Borakë, Njësia Administrative Xhafzotaj, nën kërcënimin e një mjeti prerës (thikë), kanë kërcënuar dy shtetasit H. K, dhe E. D, duke ju marrë telefonat dhe më pas janë larguar me një automjet tip Benz.

Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke kapur dhe arrestuar njërin prej autorëve dhe vijon puna intensive për kapjen e autorit tjetër, i cili braktisi automjetin dhe u largua me shpejtësi në këmbë.

Në cilësinë e provës materiale Policia sekuestroi automjetin tip Benz i përdorur nga autorët e ngjarjes. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme.