Aktualitet

Shisnin drogë pranë shkollave në Shijak e Manzë/17 të arrestuar, 1 në kërkim!

Një operacion i gjerë antidrogë u zhvillua nga strukturat e Policisë së Durrësit, duke goditur grupet që shpërndanin lëndë narkotike në afërsi të shkollave dhe në ambiente të frekuentuara nga të rinjtë.

Si rezultat i hetimeve disamujore, u arrestuan 17 vetë. Për 13 prej tyre u caktua masa “Arrest në burg”, ndërsa për 4 shtetase, “Arrest në shtëpi”. Një person u shpall në kërkim.

Sipas hetimeve, të arrestuarit, në bashkëpunim, siguronin lëndë narkotike dhe e shisnin kryesisht në afërsi të shkollave në Shijak e në Manzë, si dhe në ambiente të tjera që frekuentohen nga të rinjtë.

Gjatë operacionit u sekuestruan sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike si heroinë, kokainë e cannabis sativa, si dhe 3 armë zjarri:

Konkretisht dy pistoleta dhe një kallashnikov. Po ashtu janë sekuestruar shuma parash të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal, automjete e telefona celularë.

Të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe/ose më shumë se një herë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme hetimore.