Sport

Karlos Augusto e pranon: Jemi të lodhur, por duhet të reagojmë kundër Barcelonës

Tre humbje radhazi, menjëherë pas barazimit me Bajernin e Mynihut. Dy disfata në kampionat, “të ndara” nga humbja në Derbin e Kupës, Interi ka dukshëm probleme.  E fundit humbja me Romën. Edhe Karlos Augusto e pranon, që Interi ka një lodhje në këtë pikë të sezonit dhe nuk është aty ku duhet.  Mbrojtësi brazilian ka thënë se duhet që të reagojnë shumë shpejt në Barcelonë.

LEXO EDHE: Mediat spanjolle me superlativa për triumfin e Barcelonës, Hansi Flick: Natë perfekte, speciale të mundësh Real Madrid

“Është normale që lodhja, si fizike, ashtu edhe ajo psikologjike, po na penalizon. Por nuk dua që të gjej alibi. Roma është një skuadër e mirë dhe shënoi shumë shpejt. Pastaj ishte e vështirë për ta përmbysur. Nuk ia dolëm dhe ndonjëherë fati nuk është me ne. Nuk i konkretizuam ashtu siç duhet rastet që kishim. Ne jemi një skuadër me eksperiencë dhe kemi kualitetin që ta përmbysim ose ta barazojmë një ndeshje. Por Roma u tregua më cinike dhe u mbrojt mirë. Është normale që, kur je i lodhur, të gabosh shumë. Ne dhamë gjithçka në fushën e lojës, por nuk ia dolëm dot. Ata krijuan një rast të rrezikshëm dhe na ndëshkuan. Por nuk më pëlqen që të flas për alibi. Duhet të korrigjojmë gabimet që kemi bërë dhe të reagojmë kundër Barcelonës”.

Dy ditë e ndajnë Interin nga Supersfida me Barcelonën. Ndoshta këto humbje vijnë në momentin e gabuar. Një fitore në “Champions”, do të rifuste zikaltrit në binarë.

“Kemi një ndeshje shumë të rëndësishme. Duhet të korrigjojmë gabimet. Do të luajmë gjysmëfinalen e “Champions”-it dhe të japim gjithçka për të fituar. Është një mundësi e artë për ne”, ka thënë Karlos Augusto.