Humbja 2-1 ndaj Ekuadorit në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve ka ngritur pikëpyetje serioze mbi formën e Gjermanisë, pavarësisht se skuadra e drejtuar nga Julian Nagelsmann e kishte siguruar tashmë kualifikimin dhe vendin e parë në grup.
Gjermanët zbritën në fushë me formacionin më të mirë, por pas golit të shpejtë të realizuar nga Leroy Sané, skuadra humbi ritmin dhe ia la iniciativën një Ekuadori të vendosur dhe cilësor në fazën sulmuese. Reparti defensiv u shfaq i pasigurt, mesfusha nuk arriti të kontrollonte lojën, ndërsa sulmi krijoi raste por tregoi mungesë efikasiteti para portës.
Një nga temat më të diskutuara pas ndeshjes është paraqitja e portierit legjendar Manuel Neuer. Rikthimi i tij si titullar në Botërorin 2026 po vihet në diskutim pas një serie statistikash negative.
Me golat e pësuar ndaj Ekuadorit, Neuer ka regjistruar tetë ndeshje radhazi në Botëror pa e mbajtur portën të paprekur. Herën e fundit që ai realizoi një “clean sheet” në Kupën e Botës ishte finalja e vitit 2014 kundër Argjentinës.
Edhe në këtë edicion, Gjermania ka pësuar gol në të gjitha ndeshjet e grupit. Në golin vendimtar të shënuar nga Plata për Ekuadorin, portieri veteran gaboi në kontrollin e topit, duke lejuar kundërshtarin të përfitonte nga pasiguria e tij.
Megjithatë, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi Neuerin. Mbrojtja gjermane, veçanërisht Jonathan Tah, nuk ofroi mbështetjen e duhur, ndërsa gjatë ndeshjes u vunë re disa keqkuptime dhe mungesë koordinimi mes portierit dhe repartit defensiv.
Pavarësisht humbjes, një lajm pozitiv për Gjermaninë ishte goli i Leroy Sané, i pari për të në një fazë finale të një turneu të madh ndërkombëtar. Sulmuesi realizoi pas vetëm pak minutash lojë me një goditje të saktë me të majtën, duke i dhënë fund një serie ndeshjesh ku kishte shpërdoruar disa mundësi të mira shënimi.
Megjithatë, pas golit, performanca e tij nuk ishte bindëse. Sané humbi disa topa të rëndësishëm dhe shpërdoroi një rast të artë në minutat e fundit, duke rikthyer debatet mbi rolin e tij si titullar në formacionin e Nagelsmann. Në një mbrëmje të vështirë për Gjermaninë, një nga pikat më pozitive ishte paraqitja e Jamal Musiala.
Talenti i ri gjerman vazhdon të tregojë progres pas rikuperimit nga dëmtimi i rëndë që e mbajti larg fushave për një periudhë të gjatë. Kundër Ekuadorit, Musiala demonstroi cilësitë që e kanë bërë një nga lojtarët më premtues në futbollin botëror.
Ai arriti të përballojë presionin e kundërshtarëve, të dalë nga situata të vështira me disa mbrojtës rreth tij dhe të krijojë hapësira për shokët e skuadrës me pasime inteligjente.