Sport

Katër gola! Supersfida mes Egnatias dhe Vllaznisë kishte çdo gjë përveç fituesit! Rezultat i bardhë në Vora – Partizani!

Egnatia-Vllaznia ishte supersfida e rezervuar për javën e 10-të të Kategorisë Superiore, e cila u mbyll në barazimin spektakolar 2-2.

Takimi i luajtur në Rrogozhinë prodhoi spektakël, me shkodranët që kaluan të parët në avantazh në minutën e 44’ me Kallakun. Në të 62’, Yahaya riktheu baraspeshën, por 12 minuta më vonë Fangaj u ndëshkua me karton të kuq duke lënë vendasit me 10 lojtarë dhe pas dy minutash, Balaj kaloi sërish në avantazh të besuarit e Martinit me anë të një 11-metërshi.

Kur çdo gjë mendohej e mbyllur, Jaime barazoi takimin në të 86’, duke rrëmbyer një pikë me vlerë për kampionët në fuqi.

Kështu Vllaznia vijon të kryesojë me 20 pikë, po aq sa Elbasani, ndërkohë Egnatia i ndjek nga pas me një pikë më pak.

EGNATIA 2-2 VLLAZNIA

Yahaya 62’, Jaime 86’ / Kallaku 44’, Balaj (P) 76’

Vora dhe Partizani kanë ndarë pikët sot në ndeshjen e zhvilluar mes tyre në “Arenën e Demave”, në një përballje mes dy skuadrash që luftojnë për të qëndruar larg zonës së ftohtë të klasifikimit.

Ka qenë një ndeshje që dhuroi pak emocione, me të kuqtë që kishin iniciativën, por jo shënjestrën e duhur për të rrezikuar me gjuajtjet e vazhdueshme nga jashtë zonës.

Rastet e vërteta të ndeshjes erdhën në pjesën e dytë, kur Janjeva goditi fillimisht shtyllën e më pas traversën për skuadrën e Partizanit. Por në fund rrjeta nuk u tund dhe barazimi pa gola, pa skuadrat të ndanin pikët.