Mbyllja e lojërave të fatit në fund të vitit 2018 bëri që shumica e atyre që luanin në kazino apo pika bastesh të ktheheshin tek bixhozi online. Janë me mijëra faqe që ofrojnë baste sportive apo alternativa të tjera të ngjashme me kumarin që mund të luhen online edhe përmes telefonit apo kompjuterit pa qenë nevoja të jesh fizikisht në një pikë basti. Vetëm në vitin 2019 Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare është detyruar të mbyllë apo bllokojë aksesin në Shqipëri të mbi 8 mijë faqeve.
Por, vitin e shkuar shqiptarët kanë luajtur 80 milionë euro në kazino.
Të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm në tregun e lejuar të bixhozit: kazino elektronike, tavolina rulete, lojëra me zare dhe letra, xhiroja u rrit 4 herë më shumë se në 2020-n dhe 2 herë më shumë se 2019-n.
Në këto vite ka operuar vetëm 1 kazino e licencuar, nga 4 që janë sot.
Shteti ka rritur me 200% të ardhurat nga taksat e lojërave të fatit.
Në vitin 2020 të ardhurat nga bixhozi ishin 6 milionë euro dhe arritën në 12.6 milionë euro në fund të vitit që lamë pas.
Nga 80 milionë euro që kanë shpenzuar në kazino, fatlumët kanë fituar 3 milionë euro, vetëm 3.75% të parave të luajtura.
Përveç tregut të lejuar të kazinove, në Shqipëri lulëzon edhe ai informal i basteve sportive.
Të dhënat e Prokurorisë së Përgjithshme tregojnë se në 2021-n policia ka zbuluar 70% më shumë raste të zhvillimit të lojërave të fatit të palejuara.
Fiksimi i shqiptarëve me lojërat online reflektohet edhe nëse i hedh një sy statistikave të “google” se çfarë kërkojnë më shumë në internet ku në totalin e 12 mujave të fundit ato që sheh janë faqe kerkimet me fjalen kyçe “bet”(baste).
Qeveria vendosi në mënyrë të beftë në tetor të vitit 2018 që të mbyllte aktivitetin e lojërave të fatit në vend nga 1 janari 2019. Vendimi edhe pse u kundërshtua nga industria u zbatua por një pjesë e kompanive deklaruan se do të zhvendoseshin në vendet fqinje teksa një trend tjetër i kafeveve që ofronin fshehtas lojëra online filloi të lulëzonte dhe këtë tendencë e ka konfirmuar edhe Policia e Shtetit në disa aksione të ndërrmara që kanë rezultuar edhe me ndalime.
Industria e lojërave të fatit punësonte 7 mijë individë sipas të dhënave të shoqatës që e përfaqësonte dhe qarrkullonte rreth 130 milionë euro në vit. Në një raport të tij Komsioni Europian vuri theksin gjatë vitit 2018 se lojërat e fatit përdoreshin si një mekanizëm për pastrim parash dhe paraqesnin risk.