Aktualitet

Helmimi i studentëve në Akademinë e Sigurisë, policia sekuestron dosja e plotë në AKU

Policia e Tiranës ka nisur një hetim të thelluar për zbardhjen e shkaqeve të helmimit të 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë.

Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik ka sekuestruar pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit të gjithë dokumentacionin e kontrolleve të ushtruara ndaj kompanisë private “SORI-Al”, e cila ishte përgjegjëse për furnizimin me ushqim të studentëve.

Hetuesit kanë marrë në dorëzim të gjithë praktikën dokumentare nga janari i këtij viti e deri më tani. Objektivi kryesor është verifikimi nëse kontrollet ndaj subjektit privat janë kryer në përputhje me procedurat dhe kërkesat ligjore, si dhe nëse ka pasur parregullsi apo neglizhencë nga institucionet përgjegjëse që mund të kenë sjellë si pasojë helmimin masiv.

Studentët e prekur u dërguan me urgjencë në spital me simptoma klinike si dhimbje barku, të vjella dhe temperaturë. Grupi hetimor aktualisht është në pritje të përgjigjeve të analizave zyrtare për të përcaktuar shkakun ekzakte të helmimit.

Njoftimi i Policisë:

Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik të Policisë së Tiranës ka sekuestruar të gjithë dokumentacionin që disponon AKU për kontrollet që janë nënshtruar për subjektin privat SORI-Al.

Oficerët e policisë kanë marrë dokumentet në këtë institucion që nga janari deri më tani për të parë nëse kompania private është kontrolluar siç e parashikon ligji. Policia e Tiranës kërkon të zbulojë nëse ka parregullsi në kontrollet e ushtruara, që mund të kenë ndikuar në helmimin dy herë të studentëve të akademisë së sigurisë.

Grupi hetimor është në pritje të analizave zyrtare për të përcaktuar shkakun e vërtetë të helmimit të 64 studentëve të cilët u dërguan në spital me shenja të dukshme helmimi si dhimbje barku, të vjella, temperaturë etj.

Në varësi të përgjigjes së analizave që do merren në dispozicion nga institucionet, mund të ketë edhe urdhër ndalime për persona përgjegjës për helmimin e studentëve.