Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, hapi zyrtarisht garën për koncesionin e rrugës Milot-Balldre. Nuk është hera e parë që flitet për këtë koncesion por gjatë viteve të fundit, skemat dhe shpalljet kanë ndryshuar për të arritur tek formula e sotme e dhënies me koncesion për një afat 35 vjeçar. Referuar dokumenteve, projekti do të jetë një investim privat ku supozohet që operatori ekonomik të sigurojë i vetëm financimin dhe do të bëjë ndërtimin, operimin e mirëmbajtjen e rrugës dhe të ardhurat e saj do t’i sigurojë nga vendosja e pagesës.
Objekti i kontratës Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim i segmentit rrugor “Milot-Balldre”.
2.Forma e kontratës Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim 3. Vlera e Totale e parashikuar për Kontratën është 364’732’924 EUR pa TVSH.
Në këtë vlerë përfshihen shuma e Vlerës së Projektimit , Vlerës së Operimit, vlerës së Mirëmbajtjes rutinë dhe kapitale.
– Vlera e parashikuar e Projektit është 3’650’964 EUR pa TVSH (Projektimi) plus 182’548’198 EUR pa TVSH (Ndërtim, rehabilitim) plus 10’122’482 EUR pa TVSH (Sistemi i Pagesës (toll).
-Vlera e parashikuar e Operimit është 84’979’849 EUR pa TVSH (Operimi) – Vlera e parashikuar e Mirëmbajtje Rutinë dhe Kapitale është 83’431’431 EUR pa TVSH, thuhet në dokumentet e tenderit.
Sipas MIE-së, gjurma e propozuar e rrugës “Milot-Balldre” fillon në nyjen e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjera rrugore Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit e do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë-Shkodër, në Balldre. Gjatësia e rrugës vlerësohet në 17.2 kilometra ku në përbërje janë edhe një tunel e dy ura. Paralelisht duhet të ndërtohen edhe rrugët dytësore të këtij projekti.
Qeveria do të garantojë të ardhurat e koncesionarit, që do të thotë se nëse ato bien për shkak të volumit më të ulët të trafikut se skenari bazë, atëherë diferenca do të paguhet nga buxheti. Dokumenti nuk ka shumë specifika, por shtojca 4 duket se e përfshin këtë përmes emërtimit “pagesa e autoritetit kontraktor gjatë periudhës së garancisë”.