Kosova do të furnizohet me 76 mijë e 800 doza shtesë të vaksinës kundër COVID-19 gjatë muajit maj. Këtë njoftim e bëri Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara UNICEF. Kosova nisi një ditë më parë fushatën e imunizimit kundër koronavirusit, pasi të dielën pranoi 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca.
Këto dërgesa, të parat për Kosovën, janë siguruar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë që synon furnizimin me vaksina të vendeve në zhvillim. UNICEF ndihmon në shpërndarjen e vaksinave në këto vende.
Sipas planit shtetëror të vaksinimit, përparësi në imunizim kanë profesionistët shëndetësorë, ndërsa pas tyre personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike. Sot shefja për imunizim në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike Edita Goranci-Haxhiu tha se deri në 70 % e popullatës parashihet të vaksinohet deri në fund të vitit, në varësi të dërgesave të vaksinave.
Sipas planit shtetëror të vaksinimit, përparësi në imunizim kanë profesionistët shëndetësorë, ndërsa pas tyre personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.
Ditën e djeshme në Kosovë filloi me Kryeministrin Albin Kurti vaksinimi kundër COVID-19 me vaksinat e kompanisë AstraZeneca.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar Valbon Krasniqi, tha se vaksinimi do të ndihmojë në uljen e shkallës së të infektuarve, por kjo do të marrë kohë. Në Prishtinë sot nisi vaksinimi i personelit të Infektivit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ndërsa të enjten pritet që procesi të shtrihet në të tjera komuna të vendit.
Autoritetet shëndetësore në Kosovë japin alarmin se situata nga COVID-i në vend paraqitet e rëndë. Nga 900 pacientë që po marrin trajtim spitalor, rreth 700 janë në terapi intensive e 37 në gjendje kritike për jetën.