Rajoni

Kosovë, LDK kallëzim ndaj Albin Kurtit e ministrave të zgjedhur deputetë!

Lidhja Demokratike e Kosovës njoftoi se sot do të dorëzojë kallëzim penal ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ministrave që u betuan si deputetë. LDK-ja bëri të ditur se kallëzimi ka të bëjë me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe “tejkalim të autorizimeve ndaj ish-kryeministrit Kurti e ish-ministrave, të rizgjedhur deputetë”. Kallëzimi dorëzohet në Prokurorinë Speciale të Kosovës në orën 13:15.

Dy javë më parë, LDK-ja kishte bërë të ditur se do të ndërmerrte një veprim të tillë. Deputetja Hykmete Bajrami pati thënë se Kurti dhe ministrat në detyrë janë në shkelje duke ushtruar funksionin në qeveri edhe pse kanë e kanë bërë betimin si deputetë. Deputetët e legjislaturës së nëntë janë betuar më 19 prill por ende nuk është arritur të bëhet konstituimi i Kuvendit.

Procesi ka ngecur të zgjedhja e kryeparlamentarit pasi Lëvizja Vetëvendosje në koalicion me Guxo dhe Alternativa nuk po mund të sigurojnë 61 vota për Albulena Haxhiun, e propozuar për kryeparlamentare.

Në një tjetër zhvillim, deputetët e Parlamentit Europian miratuan raportet për Serbinë dhe Kosovën, të hartuara nga Tonino Picula e Riho Terras. Raportet janë përgjigjja e Parlamentit ndaj atyre të Komisionit Europian në vitet 2023 e 2024 për vendet kandidate.

Për Serbinë, dokumenti u mbështet nga 419 eurodeputetë, ndërsa 113 votuan kundër dhe 88 abstenuan. Ndërkaq, pro rezolutës për Kosovën dhanë votën 353 eurodeputetë, kundër 145 e abstenuan 78. Votimit i ka paraprirë një debat në seancën plenare të PE-së. Gjatë tij, raportuesit prezantuan gjetjet kryesore, ndërsa eurokomisionerja për Zgjerimin, Marta Kos prezantoi qëndrimin e saj.

Të martën në mbrëmje, Parlamenti Europian zhvilloi një debat lidhur me raportet e fundit për Serbinë dhe Kosovën, të prezantuara nga raportuesit Tonino Picula e Riho Terras.  Raportuesi i Parlamentit Europian për Kosovën, Riho Terras (EPP), deklaroi se vazhdimi i dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit, si dhe normalizimi i marrëdhënieve janë vendimtare për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Europian. Po ashtu, ai bëri thirrje për heqjen e sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Kosovës.

Mbajtja e dialogut është absolutisht thelbësore për ta mbajtur Kosovën në kursin e saj europian, u shpreh Terras gjatë prezantimit të raportit të tij.