Parlamenti Europian ka miratuar në seancën e sotme rezolutën mbi raportin për Shqipërinë për vitin 2025, me 483 vota pro, duke sinjalizuar mbështetje të qartë politike për procesin e integrimit europian të vendit.
Raporti, i hartuar nga raportuesi për Shqipërinë Andreas Schieder, ishte diskutuar më herët në Komisionin për Punët e Jashtme, ku kishte marrë 58 vota pro, 7 kundër dhe po aq abstenime.
Në debat, Schieder dhe Komisionerja për Zgjerim Marta Kos vlerësuan progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke theksuar se objektivi për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 mbetet i arritshëm nëse vijon ritmi aktual i reformave.
Përpara votimit përfundimtar të rezolutës, eurodeputetët rrëzuan amendamentin që lidhej me projektet në zonën e Vjosë–Nartës dhe Sazanit, përfshirë edhe shqetësimet e ngritura për zhvillimet turistike në këto zona të mbrojtura.
Në versionin e amendamentit të rrëzuar, ishte shprehur shqetësim për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e një resorti luksoz në Sazan dhe në zonën e Vjosë–Nartës, si dhe kërkohej mbështetje për hetimin antikorrupsion që po zhvillohet nga SPAK në këtë kontekst. Po ashtu, theksohej nevoja për garantimin e të drejtës së protestës paqësore dhe shmangien e çdo shtypjeje nga kompani private sigurie, pas incidenteve të raportuara në fund të majit 2026.
Në amendament shkruhet:
“Parlamenti Europian shpreh keqardhje të thellë për faktin se Ligji shqiptar i vitit 2015 “Për Investimet Strategjike” është zgjatur, duke pasur parasysh se dispozitat e tij mundësojnë procedura të përshpejtuara të dhënies së lejeve dhe reduktim të kontrollit mjedisor, çka rrezikon të ndikojë negativisht në zonat e mbrojtura dhe në zona të tjera të ndjeshme nga pikëpamja mjedisore.
Parlamenti bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore.
Po ashtu, Parlamenti shpreh shqetësim për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e një projekti luksoz turistik në Ishulli i Sazanit dhe në zonën e mbrojtur të Vjosa-Nartë.
Parlamenti bën thirrje për mbështetje të hetimit antikorrupsion që po zhvillohet aktualisht nga SPAK në këtë kontekst.
Gjithashtu, kërkohet që të garantohet e drejta për protestë paqësore dhe që ajo të mos përballet me represion nga kompani private sigurie, siç ndodhi gjatë përplasjeve të regjistruara në fund të muajit maj 2026.
46.Shpreh keqardhje të thellë për faktin se Ligji shqiptar i vitit 2015 “Për Investimet Strategjike” është zgjatur, duke pasur parasysh se dispozitat e tij mundësojnë procedura të përshpejtuara për dhënien e lejeve dhe reduktojnë kontrollin mjedisor, çka rrezikon të ketë ndikim negativ mbi zonat e mbrojtura dhe zona të tjera të ndjeshme nga pikëpamja mjedisore.
Bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen dhe kontrollin mjedisor”.
Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përshëndetur miratimin nga Parlamenti Europian të Rezolutës duke shkruar:
“Ky vendim i përfaqësuesve të drejtpërdrejtë të qytetarëve europianë është një vlerësim i madh i progresit solid të Shqipërisë sonë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, shprehet Balla.
Ai falënderoi të gjithë eurodeputetët që votuan në mbështetje të rezolutës, ndërsa një falënderim të veçantë ia kushtoi raporterit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve, si dhe Andrey Kovatchev për kontributin e tyre në mbështetje të perspektivës europiane të vendit.