Aktualitet

Balla në PE: Zona e investimit në Zvërnec nuk ka lidhje me deltën e Vjosës

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë një fjale para anëtarëve të grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, deklaroi se Shqipëria ka shënuar një arritje të rëndësishme në procesin e integrimit evropian, pas vlerësimit pozitiv të përmbushjes së piketave të ndërmjetme të Grupkapitullit të Themeloreve.

Sa i përket investimit në Vlorë, Balla tha se zona e investimit në Zvërnec nuk ka lidhje me deltën e Vjosës.

“Janë lajme të rreme që shpërndahen me qëllim për të krijuar konfuzion. Po përballemi me një fushatë dezinformimi, por do ta pastrojmë mjegullën. Zona e investimit në Zvërnec është pronë private me tituj të regjistruar pronësie, ndërsa zona “Pishë Poro–Nartë” vijon të mbetet “Peizazh i Mbrojtur” sipas klasifikimit të IUCN-së”, tha ai.

Balla nënvizoi se delta e Vjosës gëzon nivelin më të lartë të mbrojtjes si park kombëtar dhe nuk preket nga zhvillimet e planifikuara.

Lidhur me ishullin e Sazanit, Balla tha se ishulli mbetet pronë shtetërore dhe nuk ka qenë asnjëherë objekt shitjeje. Sipas Ballës, modeli i propozuar synon përfshirjen e shtetit shqiptar në investim përmes aksioneve, ndërsa negociatat me investitorët janë ende në vijim dhe nuk ka një marrëveshje përfundimtare.

“Mënyra e propozuar për ta vënë këtë pronë shtetërore në funksion të transformimit të saj në një destinacion turistik të klasit botëror është përmes pjesëmarrjes së shtetit në vetë investimin. Në bazë të një procesi të detajuar negociatash, shteti do të përfitonte aksione si palë e përfshirë në investim, ndërsa ishulli do të mbetej në çdo kohë pronë e shtetit shqiptar.

Negociatat janë ende në zhvillim dhe ende nuk është arritur asnjë marrëveshje përfundimtare. Paralelisht, investitorët kanë vijuar studimet e tyre të zhvillimit, por ende nuk kanë paraqitur projektin arkitektonik dhe as vlerësimin përkatës të ndikimit në mjedis”, tha ai.

Balla theksoi më tej se vendimi i Konferencës së Anëtarësimit në Bruksel konfirmon progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe përforcon perspektivën evropiane të vendit.

Duke u ndalur te reforma në drejtësi, Balla tha se sistemi ka kaluar nga faza e ndërtimit institucional në atë të rezultateve konkrete, duke veçuar rolin e SPAK dhe gjykatave të posaçme në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

Në përfundim, Balla garantoi se Shqipëria do të vazhdojë të respektojë standardet evropiane për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa paralelisht do të zhvillojë sektorin turistik si një motor të rëndësishëm të rritjes ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve.

“Dua t’ju garantoj se Shqipëria, si një nga vendet kryesuese në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e cila ka bërë përparim të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit, progres i vlerësuar nga Komisioni Evropian, do të vazhdojë të respektojë standardet dhe angazhimet në këtë drejtim. Shqipëria do të zhvillojë dhe forcojë ekonominë e saj turistike për të mirën dhe mirëqenien e qytetarëve të saj”, u shpreh Balla.

Parlamenti Evropian do të votojë të mërkurën raportin vjetor për Shqipërinë në kuadër të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, pas debatit të zhvilluar një ditë më parë në seancë plenare me Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos.

Përpara votimit të raportit final, eurodeputetët do të votojnë një seri amendamentesh të propozuara nga grupe të ndryshme politike, disa prej të cilave lidhen drejtpërdrejt me zhvillimet e fundit në Shqipëri, përfshirë protestat kundër projektit turistik në zonën e Vjosë-Nartës dhe Sazanit.

Një nga amendamentet më të forta është ai i paraqitur nga grupi i Gjelbërve (Verts/ALE), i mbështetur nga 13 eurodeputetë. Amendamenti shpreh “shqetësim serioz” për zhvillimet në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës dhe kërkon vendosjen e menjëhershme të një moratoriumi për çdo leje të re ndërtimi apo ndërhyrje zhvillimore në zonat e mbrojtura derisa Shqipëria të harmonizojë plotësisht legjislacionin me standardet evropiane të mbrojtjes së natyrës.

Në tekst përmenden gjithashtu protestat masive dhe paqësore që po zhvillohen aktualisht në vend kundër projektit.

Një amendament tjetër, i propozuar nga grupi i Majtë Evropian, shkon edhe më tej duke shprehur shqetësim për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e projektit turistik në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës.

Amendamenti kërkon mbështetje për hetimin e SPAK-ut mbi këtë çështje dhe bën thirrje që e drejta për protestë paqësore të garantohet pa ndërhyrje apo represion.

Po nga i njëjti grup vjen edhe një amendament tjetër që rikujton paralajmërimet e Komisionit Evropian ndaj Shqipërisë lidhur me projektin dhe thekson se respektimi i direktivave evropiane për mbrojtjen e shpendëve dhe habitateve natyrore mbetet kusht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, eurodeputetët e Partisë Popullore Evropiane (PPE), kanë paraqitur amendamente që lidhen me minoritetin grek dhe të drejtat e pronës.

Njëri prej tyre kërkon që raporti të njohë praninë historike të minoritetit kombëtar grek, veçanërisht në jug të vendit, dhe i bën thirrje autoriteteve shqiptare të garantojnë mbrojtjen e të drejtave pronësore.

Një amendament tjetër shpreh shqetësim për pretendimet mbi shpronësime arbitrare, presion ndaj pronarëve dhe procedura jo transparente të regjistrimit të pronave që prekin anëtarë të pakicave kombëtare, përfshirë minoritetin grek.

Po ashtu është propozuar një amendament që i kërkon Shqipërisë të respektojë plotësisht autonominë e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të shmangë çdo ndërhyrje në çështjet e saj të brendshme.

Në anën tjetër, disa amendamente të tjera kanë karakter teknik dhe mbështetës për procesin e integrimit, përfshirë zgjerimin e skemës evropiane “Roam Like at Home” në Ballkanin Perëndimor dhe përmirësimin e sistemeve doganore shqiptare.

Gjatë debatit në Parlamentin Evropian, raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, u shpreh optimist për perspektivën evropiane të vendit.

“Shqipëria ka mundësinë të bëhet historia e ardhshme e suksesit të zgjerimit evropian”, deklaroi ai, duke theksuar se objektivi për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027 është tashmë një perspektivë realiste.

Edhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi progresin e Shqipërisë, duke kujtuar se vendi ka përmbushur standardet e ndërmjetme për sundimin e ligjit (IBAR), çka i hap rrugën fazës së mbylljes së kapitujve negociues.

Votimi për raportin dhe amendamentet pritet të zhvillohet në orën 12:30, pas së cilës raportuesit do të mbajnë konferenca për shtyp për të prezantuar tekstin përfundimtar të miratuar nga Parlamenti Evropian.