Rajoni

KQZ-ja Kosovë: 28 subjekte politike aplikuan për certifikim në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) bëri të ditur se 28 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Në një njoftim për media, thuhet:

Pas mbylljes së afatit zyrtar, në mesin e 28 subjekteve politike janë 20 parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Në mesin e subjekteve ka parti shqiptare, të komunitetit serb, si dhe të tjera komuniteteve më të vogla në Kosovë. Valmir Elezi nga KQZ-ja u shpreh:

Institucioni do të bashkëpunojë me autoritetet kompetente për të bërë verifikimet lidhur me përshtatshmërinë, apo aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje.

Elze bëri të ditur se nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka kërkuar që t’i dërgojë KQZ-së emrat e kandidatëve të dënuar në tre vitet e fundit, me vendim të formës së prerë për një vepër penale.

Neni 30 parasheh disa raste se kur një person nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet. Në këtë nen parashihet se një person nuk mund të certifikohet si kandidat, nëse është i dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim efektiv.

KQZ-ja duhet t’i konfirmojë listat jo më larg se data 25 dhjetor 2024. Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jenë të parat e rregullta parlamentare që pritet të organizohen në Kosovë, nga koha e shpalljes së pavarësisë, më 2008-ën.

Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin dakordësi se si të shkohet në votime. Në fund të majit dështoi një nismë e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit.

Kjo mundësi u kundërshtua nga dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat kërkuan që qeveria e drejtuar nga Albin Kurti të jepte dorëheqje apo edhe të shkarkohej. Por, që të dyja kërkesat u kundërshtuan nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.