Rajoni

Kryeministri Kurti: Sulmin e Banjskës e kreu “Klani i Novi Sadit”!

Për ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës që çuan në vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku, Albin Kurti tha sot se “sulmin paramilitar dhe terrorist e kreu “Klani i Novi Sadit i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç”. Në një postim në Facebook, shkruan:

Para dy dekadave, në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiç porsi një capo-di-tutti-capi ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin.

Ekzistenca e një “Klani të Novi Sadit” nuk është i njohur për publikun në Serbi. Sipas kryeministrit të Kosovës, “rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastirin e Banjskës më 24 shtator ishin nga Novi Sadi”.

Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë!

Për ngjarjet në Banjskë, Kosova dhe Serbia po kryejnë hetime paralele. Bashkimi Europian i bëri thirrje Beogradit, të bashkëpunojë plotësisht.

Kosova akuzoi Serbinë se tentoi të “aneksojë veriun e Kosovës”, gjë që Serbia e mohon edhe pse përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiç, i cili më pas dha dorëheqje si nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Policia e Kosovës arrestoi disa nga sulmuesit, por shumica dërrmuese ikën nga vend-ngjarjja.

Kurti theksoi:

Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS.

Ai paralajmëroi se në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund “terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj”.

Kryeministri Albin Kurti shtoi:

Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar.