Aktualitet

Kryeministri Rama mbledh drejtuesit politikë të PS-së në qarqe!

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, sot në selinë rozë mbledh drejtuesit politikë të qarqeve. Në fokus të takimit, pritet Reforma Territoriale.

Po sot, Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në seancë plenare, që nis në orën 10:00. Paralelisht me zhvillimin e saj, është paralajmëruar një protestë para godinës së Parlamentit, ndërsa Policia e Shtetit ka marrë të njëjtat masa sigurie si në seancën e së enjtes.

Perimetri i sigurisë do të jetë i pandryshuar, me prani të shtuar të forcave të policisë në zonën përreth Kuvendit, për të garantuar mbarëvajtjen e seancës dhe tubimit të paralajmëruar.

Gazetarja e Top Channel, Elda Menga, raporton se prej orës 09:00, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike zhvillon një mbledhje në selinë blu për të vendosur qëndrimin që do të mbajë në seancën plenare.

Zyrtarisht, rendi i ditës përfshin miratimin e procesverbalit të seancës së kaluar, njoftimet dhe projektvendimin për ndryshimin e vendimit nr. 87/2026, që lidhet me caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare.