Në konferencën “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”, kryeministri Edi Rama deklaroi se siguria në ditët e sotme nuk matet më vetëm me fuqinë ushtarake, por edhe me aftësinë për të mbrojtur demokracinë, hapësirën digjitale dhe besimin e qytetarëve.
Sipas tij, Shqipëria dhe Europa po përballen me një realitet të ri, ku manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet e huaja përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për demokracinë dhe institucionet ndërsa theksoi se fuqia e një shteti, nuk matet vetëm me madhësinë e ushtrisë, por edhe me aftësinë për të përballuar manipulimin e informacionit.
Jemi këtu për shkak të një ndërthurjeje mjaft shqetësuese të momentit ku jetojmë, gjeografisë ku bëjmë pjesë dhe trysnisë gërryese që ushtrohet çdo ditë mbi institucionet tona. Gjeografia e sigurisë kombëtare ka ndryshuar në mënyrë thelbësore.
Sot duhet të mbrojmë diçka jo të dukshme, por jetike: demokracinë dhe besimin e publikut. Fuqia nuk matet vetëm me madhësinë e një ushtrie. Fuqia matet edhe me aftësinë për të tjetërsuar perceptimin, për t’i kthyer ndasitë sociale në armë.
Manipulimi dhe ndërhyrja e jashtme mbërrijnë si përmbajtje e përditshme, si trend viral apo si një link që shpërndahet në një grup WhatsApp. Ai flet gjuhën tonë dhe shënjestron debatet tona të hapura.
Për Ramën, sot manipulimi përhapet me shpejtësinë e algoritmeve dhe fuqizohet nga Inteligjenca Artificiale, ndaj mbrojtja e hapësirës digjitale tha ai është kthyer në një prioritet të sigurisë kombëtare.
Rama nënvizoi se “Shqipëria ka ndërtuar një mbrojtje të fortë kibernetike dhe sot sfida është mbrojtja e hapësirës digjitale, e qytetarëve dhe e të dhënave të tyre”.