Kukësi luan nesër për një qëllim të vetëm: të marrë fitoren për të siguruar matematikisht zonën e “play-out” dhe të mos ketë më asnjë frikë nga pas, se mund të arrihet. Kur kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje nga fundit, plot 18 pikë në lojë, verilindorët janë 14 pikë mbi rivalët e Valbonës.
Në rast të një fitoreje nesër me Korabin dhe një ndalesë të tropojanëve, blutë do të kishin edhe sigurinë matematikore për sa i përket mundësisë për të rënë në mënyrë direkte. Për këtë arsye, ndeshja me Korabin merr shumë vlera edhe në këtë aspekt, edhe pse formalisht Kukësi nuk rrezikon të bjerë direkt.
Dy fitoret e fundit e kanë shtuar oreksin në kampin blu, për të vijuar me rezultatet pozitive, edhe pse përballë do të kenë kundërshtarë të fortë në letër, sepse një pjesë e mirë e tyre pretendojnë të zënë një vend në “play-off”.
Megjithatë, pa një presion mbi supe, çdo rezultat pozitiv në vijim, Kukësi i Fatjon Tafajt e konsideron si një bonus, se në fund mund të arrijë mbijetesën edhe pa nevojën e një ndeshjeje shtesë.