Aktualitet

Kur numri i makinave vlerëson rritjen ekonomike në vend!

Për të vlerësuar rritjen ekonomike, në mungesë të të dhënave zyrtare, shpesh ekonomistët shikojnë ecurinë e numrit të makinave për familje ose banorë. Të dhënat e Censit 2023 të azhurnuara sipas bashkive, tregojnë se vetëm 38.6 e familjeve në rang vendi zotëronin së paku një makinë. Pas kësaj mesatareje fshihet një hendek i madh ndërmjet bashkive.

Vora është bashkia më e motorizuar, me 62% e familjeve që zotëronin një makinë kur u zhvillua Cens 2023. E dyta në renditje vjen Bashkia e Shijakut, ku 58% e familjeve kishin makinë, të ndjekura nga Bashkia e Krujës me 55%, Sarandës 53.7, Hasit me 53.2%. Më pas vijnë Durrësi, Kamza e Tirana ku 51-52% e familjeve kishin së paku një makinë.

Në anën tjetër, Bashkia e Memaliaj renditet e fundit për numrin e ulët të automjeteve për familje. Vetëm 21% e familjeve në këtë bashki kishin makinë në momentin kur u zhvillua anketa.

Memaliaj ndiqet nga Bashkia e Pustecit me 21.7%, Gramshi me 24%, Skrapari 26%, etj. Madje edhe Bashkia e Pogradecit me turizëm të zhvilluar kishte vetëm 27% të familjeve me automjet më 2023-shin.

Numri më i lartë i familjeve me automjete në bashkitë e qendrës së vendit lidhet me disa faktorë, të ekonomisë, demografisë dhe infrastrukturës. Zona Vorë, Shijak, Durrës, Kamzë dhe Tirana përfitojnë nga ndërthurja e të ardhurave më të larta dhe densitetit të infrastrukturës rrugore.

Disa bashki të tilla si Saranda, Kruja e Gjirokastra kanë ekonomi të lidhura ngushtë me shërbimet dhe turizmin, duke ndikuar në përmirësimin e nivelit të jetesës dhe rritjen e zotërimit të makinave.

Hasi e Vau i Dejës përfitojnë nga flukset tregtare dhe migratore me Kosovën e Malin e Zi.

Bashkitë që zotërojnë numër të ulët automjetesh karakterizohen nga terreni i thyer malor dhe mungesë rrugësh të tilla Skrapari, Poliçani dhe Fushë-Arrësi. Shumë nga bashkitë me densitet të ulët makinash për familje kanë të ardhura nën mesataren kombëtare.

Një rol të rëndësishëm luan edhe faktori demografik. Bashkitë e jugut, me popullsi të plakur, nuk kanë prirje për të përdorur makina, ndryshe nga bashkitë e Kukësit, Tropojës dhe Hasit që kanë ende popullsi më të re në moshë që nxit më shumë përdorimin e automjeteve.

Harta e zotërimit të makinave në Shqipëri është një pasqyrë e drejtpërdrejtë e pabarazive të të ardhurave, infrastrukturës dhe strukturës ekonomike lokale dhe popullsisë.

Ndërsa korridori qendror dhe qendrat turistike kanë gjysmën e familjeve që zotërojnë makina, një pjesë e madhe e bashkive malore në jug të vendit mbeten nën 30%.

Këto të dhëna sugjerojnë për një përmirësim të balancës së investimeve publike në infrastrukturë, transport dhe zhvillim ekonomik për ta bërë lëvizjen më të barabartë për të gjitha familjet shqiptare./Monitor