Rritja ekonomike në Shtetet e Bashkuara është rimëkëmbur më fuqishëm nga sa pritej në tremujorin e dytë, por ky rezultat paraqet mbivlerësim të gjendjes së vërtetë të ekonomisë, pasi rënia e importeve përbën pjesën më të madhe të përmirësimit dhe shpenzimet e konsumatorëve u rritën në mënyrë të moderuar.
Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) u rrit me një ritëm vjetor të përshtatur 3.0% gjatë tremujorit të fundit, sipas vlerësimit paraprak të publikuar nga Byroja e Analizës Ekonomike pranë Departamentit Amerikan të Tregtisë. Ekonomia ishte tkurrur me një ritëm 0.5% gjatë periudhës janar-mars, që përbën rënien e parë të PBB-së në tre vjet.
Shifra kryesore e PBB-së ishte e ndikuar ndjeshëm nga tregtia, ashtu si edhe në tremujorin e parë. Ekonomistët thonë se politika proteksioniste tregtare e Presidentit Donald Trump, përfshirë tarifat e gjera ndaj importeve si dhe vonesat në vendosjen e tarifave më të larta, e kanë bërë të vështirë krijimin e një ideje të qartë për ecurinë e ekonomisë.
Ekonomistët këshillojnë që vëmendja të përqendrohet te treguesi i shitjeve përfundimtare te blerësit privatë vendas, që shihet si një barometër i rëndësishëm i rritjes së brendshme bazë të ekonomisë amerikane, si nga ekonomistët ashtu edhe nga politikbërësit.
Një rritje e ndjeshme e importeve në tremujorin e parë, e nxitur nga përpjekjet për të shmangur tarifat, çoi në një deficit rekord të tregtisë së mallrave, që rëndoi mbi ekonominë. Ky trend u përmbys në tremujorin e dytë.
Një sondazh i Reuters-it parashikonte rimëkëmbje të PBB-së me ritëm vjetor 2.4%. Megjithatë, sondazhi kishte përfunduar përpara publikimit të të dhënave të së martës, të cilat treguan se deficiti i tregtisë së mallrave ishte ngushtuar në nivelin më të ulët në gati dy vjet gjatë muajit qershor, ndërsa inventarët ishin rritur në mënyrë marxhinale.
Kjo i shtyu ekonomistët të përmirësonin parashikimet e tyre për rritjen e PBB-së me deri në 0.8 pikë përqindje, duke e çuar ritmin e rritjes në 3.3%. Tregtia dhe inventarët janë ndër komponentët më të paqëndrueshëm të PBB-së.
Ekonomistët parashikojnë një rritje të dobët ekonomike gjatë gjysmës së dytë të vitit. Megjithëse Shtëpia e Bardhë ka shpallur disa marrëveshje tregtare, ekonomistët thonë se norma efektive e tarifave në vend, mbetet një nga më të lartat që nga vitet 1930 dhe vënë në dukje se rreth 60% e importeve të vendit vazhdojnë të mbeten jashtë mbulimit të ndonjë marrëveshjeje./Monitor