Bota

Trump i vuri tarifa, por rritja ekonomike e Kinës tejkalon pritshmëritë!

Ekonomia kineze shënoi rritje më të mirë nga sa pritej, pavarësisht tarifave amerikane dhe krizës së gjatë në tregun e pronave duke ndikuar në ngadalësimin e saj. Sipas të dhënave zyrtare, kjo ekonomi u rrit me 5.2% në tremujorin që përfundoi në qershor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja është pak më e lartë se parashikimi i ekonomistëve prej 5.1%, por më e ulët se në tremujorin e mëparshëm.

Ekonomia e dytë më e madhe në botë shmangu një rënie të madhe, pjesërisht falë masave të marra nga qeveria dhe një marrëveshjeje të dobët tregtare me SHBA-të. Ekonomia “ka përballuar presionin duke përparuar me qëndrueshmëri, pavarësisht sfidave”, deklaroi  Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës.

Sipas zyrtarëve, rritja ekonomike u mbështet nga një rritje prej 6.4% në prodhim, falë kërkesave më të mëdha për pajisje printimi 3D, makina elektrike e robotë industrialë.

Sektori i shërbimeve në vend që përfshin transportin, financat dhe teknologjinë, gjithashtu pati rritje. Megjithatë, disa ekonomistë presin që Kina të mos e arrijë objektivin e saj vjetor të rritjes prej “rreth 5%” këtë vit.

Lufta tregtare mes presidentit të Kinës, Xi Jinping dhe atij amerikan, Donald Trump, bëri që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vendosnin taksa prej 145% mbi importet kineze. Pekini zyrtar iu përgjigj duke vënë taksa 125% mbi disa mallra amerikane.

Këto taksa u ndaluan përkohësisht pas bisedimeve në Gjenevë e në Londër. Tani, të dyja vendet kanë kohë deri më 12 gusht për të realizuar një marrëveshje tregtare afatgjate. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur taksa të larta edhe ndaj vendeve që kanë lidhje të ngushta ekonomike me Kinën.