Lajmet e fundit Sport

Laçi përmbys Tiranën, Magani: Humbja duhet analizuar me detaje

Laçi mundi 3-1 Tiranën në javën e 19-të të Superiores, duke bërë që bardheblutë të zbresin në zonën e rënies nga Kategoria.

Në ndeshjen e luajtur në Kurbi,  bardheblutë realizuan të parët me Ndrecën, duke mbyllur pjesën e parë në epërsi. Laçjanët u futën në pjesën e dytë me shumë dëshirë dhe përmbysën sfidën. Dopieta e Cordeiro dhe goli i Traoere kanë bërë që ekipi i Moreiro të marrë 3 pikë dhe të shkojë në vendin e shtatë me 20 pikë.

Tirana regjistron humbjen e dytë radhazi dhe renditet në vendin e tetë me 18 pikë.

LEXO EDHE: FSHF u bllokon merkaton për tre sesione dy klubeve më të titulluara në Shqipëri!

Trajneri i Tiranës, Gugash Magani dha mendimin e tij pas humbjes 3-1 ndaj Laçit.

“Janë disa gjëra të pashpjegueshme. E dyta herë që na ndodh dhe në ndeshjen me Skënderbeun ku skuadra luan në perfeksion në pjesën e parë. Laçi ka ardhur vetëm një herë. Ne kemi dalë, kemi pasur rast për të dyfishuar rezultatin. Bëjmë disa gabime që mendoj ndodhin në futboll, por janë disa gjëra që duhen realizuar me imtësi. Dy golat që morën ishin gabime individuale të qendërmbrojtësit tonë. Nuk e di, u mërzita shumë sepse patëm gjithçka për ta fituar sot.

Do të thoja që është aluduar shumë që Tirana nuk ka marrë rrogat. Mendoj të gjithë kanë probleme, por kur futet lojtari në fushë jep maksimumin. Atëherë thotë që këtu stop. Kjo nuk ndodhi me lojtarin që ka qenë gjithë kohës ndër më të mirët. Na ndodhi dhe me Dinamon me të njëjtin lojtar. Nuk dua ta paragjykoj, por mendoj nuk e ka pasur mendjen fare.

Është diskutuar shumë këto kohë që Tirana ka krizë, por çdo lojtar ka kontratat e veta. Ka të drejtën të marrë djersën, por kur futet në fushë jep gjithçka për gjithçka. Ndodhën disa gabime individuale, shyqyr ndodhën tani se është dhe gjysma e rrugës. Ju e patë Ndrecën. Ka bërë 4 gola dhe 1 sot, për mua meriton notën më të lartë”- tha ai.

Tekniku i Laçit, Françesko Moriero, doli në konferencë pas fitores 3-1 ndaj Tiranës.

“Në pjesën e parë kishim vështirësi të gjenim distancat. Na u desh të ndërronim pozicionin e lojtarëve dhe modulin. Isha inatosur pak në pushimin e ndeshjes se nuk kishte zbritur në fushë skuadra ime në pjesën e parë. Në pjesën e dytë luajtëm me dy sulmues e një organizator, ndryshoi sjellja në fushë, ku skuadra tregoi që nuk dëshironte të humbte, por të rikuperonte e fitonte.

Kisha përgjigjet që kërkoja nga lojtarët të cilët kohët e fundit po luanin pak dhe nuk ka përgjigje më të mirë se një ndeshje futbolli që të tregojnë qe janë mirë e duan të luajnë futboll. Në pjesën e dytë jemi treguar të aftë, dominuam ndeshjen, duhej të shënonim edhe dy gola të tjerë. Fizikisht bëmë ndeshjen, i vumë poshtë, bëmë shumë mirë si në fazën mbrojtëse, edhe sulmuese. Ky është futbolli që më pëlqen mua, është mentaliteti im, disiplinë taktike por mbi të gjitha intensitet loje.

Objektivi im është që të vendos të luajnë të gjithë lojtarët, duhet pak kohë. Por siç e patë sot, Traore e Bullari ishte kohë që nuk luanin. Dhe dhanë një përgjigje shumë të bukur në fushë, ndaj për mua flet vetëm fusha. Kur të gjithë djemtë të jenë gati, të rinj apo të vjetër, flet fusha. E rëndësishme është të futen në mentalitetin e skuadrës e trajnerit, të luajnë me intensitet të lartë. Kjo është ajo që duhet të bëjnë.

Tresa dhe Kurti janë dy të rinj shumë të rëndësishëm për ne, sepse kanë hyrë në mekanizmat taktike. Por sot kishim alternativa të rëndësishme, Kemi treguar se mund të luajmë me një modul ndryshe loje dhe padyshim në ndeshjet e ardhshëm do të ndryshojmë modul. Por për mua futbolli është shumë i thjeshtë, është disiplinë, duhet zemër e dëshirë për të fituar. Dhe përderisa është kjo, djemtë do të luajnë me mua”, tha Moriero.