Bota

Libani dhe Izraeli drejt dialogut të drejtpërdrejtë në SHBA/Merr pjesë edhe Rubio!

Bisedime të rralla diplomatike priten sot në Uashington, ku ambasadorët e Libanit dhe Izraelit do të takohen për negociata të drejtpërdrejta, një zhvillim i paprecedentë pas dekadash mungese të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Takimit pritet t’i bashkohet edhe diplomati më i lartë amerikan, Marco Rubio, duke i dhënë peshë të veçantë këtyre bisedimeve në mjediset e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.

Negociatat vijnë vetëm pak ditë pasi dështuan përpjekjet mes SHBA-ve e Iranit, për të arritur një marrëveshje mbi konfliktin më të gjerë në rajon. Kjo rriti tensionet në Lindjen e Mesme.

Sipas burimeve diplomatike, ambasadorët do të diskutojnë mundësinë e nisjes së bisedimeve të drejtpërdrejta në nivele më të larta mes Libanit e Izraelit. Fillimisht, autoritetet libaneze kërkojnë ndërmjetësimin e një armëpushimi në konfliktin e vazhdueshëm Izrael-Hezbollah.

Megjithatë, Izraeli e ka përjashtuar këtë opsion, duke këmbëngulur se Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, duhet të çarmatoset. Nga ana tjetër, vetë Hezbollahu ka refuzuar çdo mundësi bisedimesh duke deklaruar se nuk do t’i përmbahet asnjë marrëveshjeje të mundshme.

Luftimet e fundit mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë pasur pasoja të rënda për Libanin. Sipas të dhënave, mbi një milion persona janë zhvendosur, ndërsa më shumë se 2,000 të tjerë kanë humbur jetën, mes tyre qindra gra, fëmijë e punonjës të shërbimeve shëndetësore.

Zhvillimet e sotme konsiderohen hap i rëndësishëm diplomatik, megjithëse mbeten shumë pengesa për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme në rajon.