Një ligjvënës azerbajxhanas ka thënë se ka “shumë mundësi” se rrëzimi i një avioni udhëtarësh në fillim të kësaj jave u shkaktua nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Rusisë që ishin në gatishmëri për sulme ukrainase me dronë.
Thashethemet janë rritur se avioni i Azerbaijan Airlines, i cili po fluturonte nga Bakuja drejt Groznit, kryeqytetit të rajonit rus të Çeçenisë, mund të jetë goditur nga një raketë e një kundërajrori rus, para se ta kalonte Detin Kaspik dhe të rrëzohej afër Aktaut në Kazakistan, duke i lënë të vdekur 38 udhëtarë dhe pjesëtarë të ekuipazhit.
LEXO EDHE: Rrëzimi i avionit me 38 të vdekur në Kazakistan, të mbijetuarit kthehen në Azerbajxhan
Ligjvënësi Hikmat Babaoghlu tha për Shërbimin azerbajxhanas të Radios Evropa e Lirë në një intervistë më 27 dhjetor se një shpjegim i tillë sipas të gjitha gjasave “i afrohet më së shumti të vërtetës”.
“Kjo është vetëm një mundësi, por një mundësi shumë e madhe, dhe vëzhgimet dhe përfundimet e nxjerra deri tani mbështesin idenë se rrëzimi i avionit nga goditja me armë është më pranë të vërtetës”, tha ai.
“Në këtë rast të veçantë, incidenti përfshin dëmtimin e avionit të linjës ajrore të Azerbajxhanit brenda territorit të Federatës Ruse, gjë që shkaktoi rrëzimin që ndodhi atje. Prandaj, nuk ka dyshim se përgjegjësia i takon Federatës Ruse. Nëse këto supozime janë të sakta, përgjegjësia pa dyshim bie mbi Rusinë”, shtoi ai.
Ekspertë nga Kazakistani mbërritën më 27 dhjetor për të ekzaminuar vendin e rrëzimit dhe kutinë e zezë të avionit të pasagjerëve, derisa spekulimet – dhe provat – po shtohen duke sugjeruar se një raketë e mbrojtjes ajrore ruse mund ta ketë goditur aksidentalisht avionin.
Derisa hetimet po vazhdojnë, vendet nga ku vijnë viktimat e rrëzimit të avionit – Azerbajxhani, Kazakistani, Rusia dhe Kirgizia – vazhdojnë të mbajnë zi për vdekurit dhe t’i trajtojnë të lënduarit nga rrëzimi i avionit Embraer 190.
Që nga rrëzimi i avionit, pasiguria ka tronditur industrinë e aviacionit në të gjithë Kaukazin. Një fluturim i Azerbaijan Airlines drejt qytetin rus Mineralnye Vody, u ngrit nga Bakuja më 27 dhjetor, por më pas u kthye mbrapsht papritur pasi mori një njoftim se hapësira ajrore ruse, përmes së cilës duhej të kalonte, ishte e mbyllur.
Azerbaijan Airlines më vonë tha se i ka pezulluar fluturimet për në disa qytete ruse, duke përfshirë Mineralnye Vody, Soçi, Volgograd, Ufa, Samara, Grozni dhe Makaçkala. Thashethemet rreth tragjedisë janë shtuar, me disa ekspertë që përmendin vrimat e vërejtura në pjesën e pasme të avionit si shenjë e mundshme që ai mund të jetë goditur nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore të angazhuara për t’i parandaluar sulmet me dronë nga Ukraina.
LEXO EDHE: Aksidenti ajror me 38 viktima, Rusia: Të presim përfundimin e hetimeve…
Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, u tha agjencive të lajmeve se indikacionet tregojnë se një sistem kundërajror rus goditi avionin, pa dhënë ndonjë provë për këtë. Provat, shumica e të cilave nuk janë konfirmuar nga autoritetet në Azerbjaxhan, Kazakistan apo Rusi, përfshijnë pamje nga brendësia e aeroplanit para rrëzimit të tij, fotografi që shfaqin vrima në bishtin e aeroplanit pas rrëzimit, komentet e një të mbijetuari, dhe dëshmitë që lënë të kuptohet se dyshohej për një sulm me dronë në kohën kur aeroplani u përpoq të aterojë në Grozni.
Duke komentuar mbi raportet e pakonfirmuara se avioni mund të jetë rrëzuar nga një raketë, kryetari i Senatit të Kazakistanit, Maulen Ashimbaev, tha se është “e pamundur” të thuhet se çfarë mund ta ketë dëmtuar avionin derisa hetimi të përfundojë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, bëri u shpreh ngjashëm, duke thënë: “Duhet të presim përfundimin e hetimit”. Peskov shtoi se është “gabim” të spekulohet para se hetuesit t’i nxirrnin përfundimet e tyre.
Sipas zyrtarëve, përveç 42 shtetasve azerbajxhanas, në bordin e fluturimit “J2-8243” ishin regjistruar edhe 16 shtetas rusë, gjashtë nga Kazakistani dhe tre qytetarë nga Kirgizia. Në mesin e të mbijetuarve janë nëntë shtetas rusë, të cilët u dërguan në Moskë më 26 dhjetor nga Ministria Ruse e Situatave të Jashtëzakonshme. Sipas autoriteteve shëndetësore ruse, tre prej të mbijetuarve rusë janë në gjendje kritike./ REL