Art & Kulturë

“Little Fires Everywhere” nga Celeste Ng!

Romani i dytë i shkrimtares amerikane Celestial Ng tregon një ngjarje në vendin ku ajo u rrit – Shaker Heights, Ohio. Tre familje në 1990 përzjehen me njëra tjetrën për shkak të fëmijëve të tyre. Një përplasje klasash, mëndësish dhe morali!

Shaker Heights, një periferi e Cleveland, Ohio, në pamje të parë është vendi perfekt për të jetuar. Çdo gjë e planifikuar në detajin më të vogël me banorë, ajkën e shoqërisë. Elena Richardson është mishëruesja e përsosur e këtij komuniteti, ku të gjithë ndjekin rregullat e shkruara e të pashkruara të të kamurve në Amerikë.

Gjërat ndryshojnë kur pjesë e këtij vendi idilik bëhet edhe Mia Warren, një artiste enigmtike, mama beqare e një vajze adoleshente – Pearl. Mia dhe Pearl marrin me qera një shtëpi pronë e Richardson-ëve. Marrëdhënia e dy familjave [aq të ndryshme nga njëra tjetra] nuk është e ftohtë, vetëm biznesi, përkundrazi. Të katër fëmijët e Elenës lidhen shpejt me qiramarrësit e tyre të ndryshëm nga njerëzit që i rrethojnë. Mia dhe e shkuara e saj misterioze e bëjnë atë injoruese të rregullave dhe zakoneve të komunitetit ku tashmë bën pjesë.

E kur një nga familjet e Shaker Heights vendos të adoptojë një fëmijë nga një familje amerikano-kineze, një betejë kujdestarie do ti vendosë Mian dhe Elenan përkundër njëra-tjetrës. Elena dhe vendosmëria për të zbuluar sekretet e ‘armikes së pashpallur’  do të shkojë deri aty ku obesioni i saj do të vijë me një kosto të dhimbshme dhe të papritur.

“Little Fires Everywhere” tregon amerikën e periferisë së viteve ‘90 kur televizori qëndronte tek “Jerry Springer Show” e kur Shaker Heights ishte një nga lagjet e para të planifikuara me banesa me të njëjtën ngjyrë, rrugë të rregullta e të pastra dhe shumë rregulla të tjera të cilat duheshin zbatuar me krenari nga banorët e saj. Autorja, Celest Ng, rritur pikërisht aty, bazon librin e saj të dytë të suksesshëm [në shitje] me një histori që nis me një skenë të kobshme kur familjes Richardson i kanë ndjegur vilën e tyre lluksoze. Tre fëmijët e tyre akuzojnë më të voglën, e cila është në kërkim, policia vazhdon hetimet.

Libri sidoqoftë merret jo aq me zgjidhjen e fajtorit për krimin sesa me një çështje morale. Një çështje e cila tregohet nga tre linja paralele të personazheve të librit që mpleksen nga i njëjti emërues.

Zjarri i madh i fundit për të cilin lexojmë në fillim është metaforë e zjarreve të vogla kudo.

(1)Një familje e afërt me Richardsonët ka adoptuar një fëmijë të braktisur në stacionin e zjarrfikësve, lënë aty nga e ëma, që më pas, e kërkon mbrapsht, duke nisur kështu një betejë të ashpër për kujdestarinë. (2)Vite para se të vinte në Shaker Heights me vajzën e saj adoleshente, Mia ka shërbyer si nënë surrogato për një çift të pasurish që nuk bënin dot fëmijë, por gjatë shtatzanisë vendos që të mos ta çojë deri në fund marrëveshjen me ta duke e mbajtur fëmijën për vete. (3) Vajza e madhe e Elena Richardson ngel shtatzanë me të dashurin e saj. Edhe pse kushtet për ta mbajtur fëmijën janë, kjo do të bjerë ndesh me edukimin e saj në universitet dhe kodin moral të komuniteti të ‘ngritur’ të Shaker Heights.

Pyetja që Ng ngre është:

“Çfarë e bën dikë një nënë? Biologjia apo dashuria?”

Të treja rastet janë të tilla që do ta vënë lexuesin përballë një empatie ose zemërimi karshi personazheve. Pushteti, pozita, paraja dhe morali janë tema që gërshetohen vazhdimisht në faqet e këtij libri në histori të cilat janë të kuptueshme dhe aktuale. Proza e Celeste Ng nuk ka të sharë. Edhe pse një libër me shumë personazhe autorja ta bën shumë të thjeshtë lundrimin mes tyre duke mos anashkaluar asnjërin, e duke kombinuar mirë mes tre linjave paralele të historisë që po rrëfen. Natyrisht një lexues që është prind do ta gjejë veten shumë më të përfshirë në krahasim me lexuesin tjetër. Në kohën që doli libri qëndroi në krye të librave më të lexuar të New York Times, duke u kthyer më vonë në një serial të suksesshëm të Reese Witherspoon.

Libri debutues i autores “Everything I Never Told You” fitoi një sërë çmimesh; “Little Fires Everywhere” u prit më pak mirë nga kritika. Zjarret metaforike dhe fizike kërkojnë të lidhin në një zinxhir të vetëm të njëjtën temë, por kanë tendencën të jenë të dobët e të këputen. Sepse tema është aty, por a është qëllimi?

Në tërësi libri është i mirë por i vogël. Është i duhuri për ata që nuk kanë lexuar ndonjëherë dhe duan të fillojnë ta bëjnë. Por nëse ke lexuar dhjetë libra dhe ky do të jetë i njëmbëdhjeti, le të themi që mezi do presësh të lexosh një tjetër.