Punkët me flokë gjemborë, gotikët me sy të zinj, ravers-at e viteve ’90 dhe emo-t e fillimviteve 2000 kanë më në fund tempullin e tyre. Në zemër të Camden-it, lagjes ikonike të kundërkulturës britanike, është hapur zyrtarisht Muzeu i Kulturës së Rinisë, institucioni i parë në botë i dedikuar tërësisht jetës, stilit dhe rebelimit të të rinjve.
I quajtur nga organizatorët si një festë e “magjisë dhe çmendurisë së rinisë”, muzeu sjell në vëmendje një shekull të tërë subkulturash që kanë sfiduar normat, kanë ndryshuar modën, muzikën dhe madje vetë shoqërinë britanike.
Brenda mureve të tij gjenden mijëra artefakte: fletushka koncertesh punk, fotografi të rralla të skinhead-ëve, Walkman-e origjinale, biçikleta legjendare Chopper, objekte nga skena rave dhe kujtime personale të dhuruara nga vetë qytetarët. Arkivi numëron mbi 100 mijë objekte që tregojnë historinë e rinisë britanike nga vitet 1920 deri në ditët tona.
“Është një stil jetese”, deklarojnë organizatorët, duke theksuar se këto lëvizje nuk kanë qenë thjesht moda kalimtare, por forma identiteti që kanë ndikuar në kulturën, artin dhe politikën e vendit.
Muzeu sfidon edhe idenë se epoka e subkulturave ka përfunduar. Sipas drejtuesve, sot ato vazhdojnë të ekzistojnë në forma të reja – nga komunitetet e K-pop-it te grupet anime dhe kulturat digjitale që bashkojnë miliona të rinj në mbarë botën.
Përtej nostalgjisë, institucioni synon të bëhet një hapësirë e gjallë për brezat e rinj, me ekspozita të përhershme, aktivitete komunitare dhe projekte të kuruara nga vetë të rinjtë. Një prej ekspozitave më tërheqëse mban titullin “Gjërat që u kam gënjyer prindërve”, duke eksploruar mënyrat se si adoleshentët ndërtojnë identitetin e tyre përballë pritshmërive të familjes dhe shoqërisë.
Në një kohë kur shumë hapësira rinore po zhduken, ky muze vjen si një deklaratë e fortë: historia nuk shkruhet vetëm nga politikanët dhe mbretërit, por edhe nga adoleshentët që guxojnë të jenë ndryshe. Dhe siç thotë slogani jozyrtar që përshkon sallat e tij: “Nuk ishte kurrë thjesht një fazë, mami!”