Bota dje për disa orë ndaloi, nuk mori më frymë, çdo gjë mori fund. Pse, çfarë ndodhi? Ndonjë tërmet i rradhës? Viktima e të plagosur? Ndonjë sulm terrorist? Jo jo, asnjëra nga këto. Bota ndaloi sepse ai “virusi” i mallkuar që po vret e po shkatërron dita ditës njerëzit u zhduk. Po pra, u zhduk. Sa mirë kur një virus zhduket sepse ti shërohesh. Nuk u zhduk COVID-19, fatkeqësisht, u zhduk një virus edhe më i rrezikshëm akoma, ai i rrjeteve sociale. Whatsapp dhe Instagram nuk funksionuan më për disa orë dhe për disa njerëz do të ishte më mirë të vinte apokalipsi. Nuk e imagjinoj dot sa njerëz janë ankuar, kanë qarë, kanë protestuar për këtë ngjarje. Sa shumë fatkeqësi, sa shumë drama, sa shumë viruse të këqija ka vërdallë dhe njërëzit janë të “shurdhur” dhe “memec”.

Zgjohu botë e mjerë, zgjohu! Më drithëron e më shkatërron ideja që sa njerëz mund të kenë vrarë veten, sepse ky “virus” i mallkuar të krijon varësi si droga, alkooli që sa do që ti të mundohesh të heqësh dorë, nuk e bën dot. Çfarë ndodhi me ne? Çfarë kuptuam nga vetja? A jeni edhe ju një ata njerëzit që si unë për një moment ndaloi dhe tha: “O zot bë që ky “virus” të mos kthehet më kurrë, na lë të shijojmë jetën, na lë të vlerësojmë dashurinë, familjen, shoqërinë, na lë kohë për veten për të kuptuar gabimet, të mirat, të metat, na largo nga urretja, inatet, xhelozia, bullizmi, trend-et e deformuara të bukurisë”. Le të shërbejë ky si një mesazh për të gjithë ne që të vlerësojmë më shumë jetën jashtë atyre kornizave të shëmtuara që nuk të lejojnë të jesh vetvetja. Bëhu vetja jote, ti nuk ke nevojë për ato rrjete të mallkuara sociale për të treguar potencialin tënd!