Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë bllokuar një mjet lundrues Jet Ski në Gjirin e Livadhit, në Himarë, pasi drejtuesi i tij kreu manovra të rrezikshme pranë perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar pushuesit.
Sipas Policisë, shërbimet u njoftuan nga qytetarët që ndodheshin në plazh se një Jet Ski po lëvizte në mënyrë të rrezikshme pranë zonës së dedikuar për pushuesit. Mjeti u identifikua menjëherë nga patrullat e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi me iniciale A.L., banues në Tiranë, ishte denoncuar edhe në rrjetet sociale.
Gjatë kontrollit, policia konstatoi se drejtuesi nuk kishte në bord dokumentacionin e detyrueshëm. Për këtë shkelje ai u ndëshkua me gjobë prej 10 mijë lekësh, ndërsa mjeti lundrues u bllokua.
Policia Kufitare bën të ditur se kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare, me synim garantimin e sigurisë në det, parandalimin e shkeljeve të perimetrit të sigurisë dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.