Gjykata Supreme ka njoftuar se ka lënë në fuqi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për gjobitjen e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me pjesëmarrjen e një të miture në fushatën zgjedhore.
“Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP)”, thuhet në njoftim.
LVV-ja kishte ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme, duke kontestuar ligjshmërinë e vendimit të PZAP-së.
“Ankesat e paraqitura në PZAP kishin pretenduar se pjesëmarrja aktive e fëmijës në një aktivitet të organizuar zgjedhor përbën angazhimin e një personi nën moshën 15-vjeçare në fushatë zgjedhore, në kundërshtim me rregullat zgjedhore në fuqi”.
Në procedurën para PZAP-së, LVV-ja kishte pretenduar se e mitura nuk kishte qenë pjesë e programit të organizuar të tubimit, nuk ishte angazhuar nga subjekti politik dhe se iniciativa për paraqitjen e saj kishte ardhur nga vetë ajo, në prani të prindit të saj.
“Gjykata Supreme vlerësoi se këto pretendime nuk janë të bazuara. Kolegji i Gjykatës pranoi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, duke theksuar se neni 5, paragrafi 3, i Rregullores Zgjedhore nr. 07/2024 për Fushatën Zgjedhore, Monitorimin e Fshehtë të Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar përcakton se: ‘Asnjë subjekt politik i certifikuar nuk mund të angazhojë persona nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeç në fushatën zgjedhore”.
PZAP-ja e ka dënuar LVV-në me 5 mijë e 100 euro për shkak të pjesëmarrjes së një fëmije në një tubim zgjedhor në Vushtrri.