Rajoni

Maqedoni e Veriut, policia sekuestron mbi gjysmë milion euro dhe arreston 10 persona!

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut bëri të ditur se ka zbuluar dhe konfiskuar rreth gjysmë milion euro, përfshirë pajisje për numërimin dhe falsifikimin e parave, kopje të pjesëve të kartëmonedhave, si dhe armë e municione, gjatë një aksioni të zhvilluar sot.

Aksioni, i koduar “Vardar”, rezultoi me arrestimin e dhjetë personave, ndërsa është realizuar në bashkëpunim me Agjencinë Evropiane të Policisë (EUROPOL), me mbështetjen e Eurojust-it, Agjencisë së BE-së për Bashkëpunim Gjyqësor në Çështjet Penale, si dhe disa institucione hetimore serbe.

EUROPOL dhe Projekti i EUROJUST-it për drejtësinë penale në Ballkanin Perëndimor, mundësuan koordinimin operacional, analizën kritike të inteligjencës dhe ndihmën teknike për realizimin e operacionit.

Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan rreth 500.000 euro, 25.000 dollarë amerikanë, 500 franga zvicerane, 1800 shekela izraelite, 500 kuna kroate, 10.000 lekë, 1.000 krona suedeze dhe 25.000 rubla ruse.

Janë ekzekutuar 23 urdhra për kontroll në persona dhe banesa, si dhe u siguruan prova materiale.

Sipas Prokurorisë, ky aksion është vazhdimësi e operacionit të gushtit të vitit të kaluar, kur autoritetet në Shkup, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, si dhe me mbështetjen e Eurojust-it e EUROPOL-it, sekuestruan pajisje për falsifikim të monedhave euro, të gatshme dhe gjysmë të gatshme, kallëpe e të tjera materiale për prodhim.

Në atë operacion, një zyrtar policor nga Maqedonia e Veriut u arrestua në Kosovë, nën dyshimin se kishte prodhuar rreth dy milion monedha false prej dy eurosh. Ai ishte pjesë e Departamentit për Luftën kundër Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar në policinë e Maqedonisë së Veriut. Burime nga hetimet thanë për Radion Evropa e Lirë se i arrestuari ishte pjesë e rrjetit të falsifikatorëve, por jo organizatori kryesor i operacionit.

Prokuroria ka njoftuar gjithashtu edhe për zhvillimin dhe rezultatet e pjesës së operacionit të kryer në Serbi.

Në Republikën e Serbisë janë bërë bastisje në disa lokacione, në Novi Pazar, Novi Sad, Sombor dhe Suboticë. U arrestuan gjashtë anëtarë të grupit kriminal, si dhe u sekuestruan 180 mijë kartëmonedha të falsifikuara në euro.