Rajoni

Protesta për gjuhën shqipe, Maqedonia e Veriut bllokon në kufi studentët nga Shqipëria!

Një autobus me studentë shqiptarë nuk është lejuar të kalojë kufirin me Maqedoninë e Veriut në pikën doganore të Bllatës në Dibër. Autoritetet maqedonase nuk kanë dhënë shpjegime pse kanë marrë këtë vendim.

Dashnor Veizaj, bashkëkryetar i Unionit të Këshillit Studentor, shpjegoi pse është bllokuar autobusi me studentë në kufi me Maqedoninë e Veriut.

“Në kufi me Maqedoninë e Veriut është krijuar një situatë e pashpjegueshme. Jemi një autobus me studentë, të gjithë 18 vjeç. Na kanë bllokuar dhe na kanë thënë që autobusi duhet të kthehet mbrapsht pasi duhet të verifikojmë nëse ka minorenë në grup. Kjo gjë po ndodh që ne të mos kapim orën e nisjes së protestës në Shkup”, tha Veizaj.

“Studenti më i vogël në grup është në vitin e parë të universitetit. Është e papranueshme se si po trajtohemi në një udhëtim që duam të bëjmë në Maqedoninë e Veriut. Kemi kontaktuar me ambasadorin shqiptar për të na ndihmuar me kalimin. Na thonë që nuk do na pengojnë, por duhet të marrin nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut”, shtoi Veizaj.

Këtë të martë, studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut do të mbajnë protestën e radhës për të kërkuar të drejtën për të zhvilluar provimet në gjuhën shqipe. Për organizimin, studentët janë takuar me njëri-tjetrin në Kumanovë, Tetovë, Strugë dhe Shkup.

Gjithçka nisi nga kërkesa e studentëve të jurisprudencës, për ta dhënë provimin në gjuhën e tyre amtare, një kërkesë që edhe pas dy vitesh nuk ka marrë zgjidhje. E drejta e tyre është një e drejtë kushtetuese, që rrjedh që prej marrëveshjes së Ohrit, por për të cilën politika nuk po kujdeset.

Aksioni i tyre merr një kuptim edhe më të thellë politik, duke ngritur diskutim për përfaqësimin me dinjitet të shqiptarëve në një vend ku janë element shtetformues, madje në një kohë kur në bashkëqeverisje janë edhe shqiptarët e VLEN.

Protesta e parë e studentëve u mbajt në Shkup më 6 prill dhe përfundoj përpara ministrisë së drejtësisë, por që atëherë asnjë nuk ka ndryshuar nga qeveria për të përmbushur një të drejtë të shqiptarëve që rrjedh që nga Marrëveshja e Ohrit.