Kuvendi i Kosovës ratifikoi sot marrëveshjen për Programin Kompakt, i cili pritet të forcojë pavarësinë energjetike të vendit. Projektligji për akordin u miratua me 89 vota. Marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen në Parlament me dy të tretat e votave. Kjo marrëveshje u firmos dje në Uashington nga ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli dhe drejtoresha ekzekutive e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, MCC Alice Albright.
Vlera e përgjithshme e Programit Kompakt është 236.7 milion dollarë e përqendrohet në projekte të energjisë. Gjatë prezantimit në Kuvend, zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se “marrëveshja siguron grantin më të madh në historinë e Kosovës së pasluftës”.
Përmes këtij projekti po shkojmë drejt dekarbonizimit të energjisë, duke ndjekur shembullin e partnerëve tanë ndërkombëtarë e duke i hapur rrugën Kosovës drejt integrimit euro-atlantik.
Programi Kompakt përbëhet prej dy projektesh dhe konsiderohet si investimi më i madh i qeverisë amerikane në Kosovë. MCC-ja synon që me këtë program të ulë varfërinë në vend, përmes rritjes ekonomike, pasi vlerësohet se furnizimi jo i qëndrueshëm energjetik e pengon rritjen ekonomike.
Granti pesëvjeçar parashikon 202 milion dollarë financime direkte nga Uashingtoni zyrtar, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës. Sipas drejtoreshës së MCC-së për Kosovën, Sarah Olmstead, prokurimi i parë për projektet e Programit Kompakt pritet të nisë pas dy vjetësh.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se “me nënshkrimin e Programit Kompakt, rikonfirmohet gatishmëria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar Kosovën që të avancojë ekonomikisht e të ketë zhvillim të qëndrueshëm”. Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishin të pranishëm në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes.